Siguria në plazhe – Klosi apel bizneseve: Përgjegjësi penale për rojet bregdetare
Pavarësisht ngritjes së sistemit të plotë të pikave të vrojtimit, nuk jemi aty ku duhet me cilësinë e ruajtjes së plazhit. Deklarata ka ardhur nga kreu i ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë takimit me Komunitetin Rajonal të Turizmit në Pogradec, ku i bëri apel bizneseve që të plotësojnë detyrimin ligjor me vendosjen e rojeve të plazhit.
Më tej, duke ndarë statistikat e turistëve të huaj që mbërritën në Shqipëri, Klosi shtoi se rritja e numrit të tyre rrit njëkohësisht edhe përgjegjësinë për ta shndërruar vendin në një destinacion europian turistik.
“Këtë vit shifrat tregojnë për një rritje 10-13 për qind . Muaji që ne po mbyllim ka një rritje me 13% krahasuar me një vit më parë. Rritja e numrit të madh të turistëve padyshim për ne që merremi me organizimin e këtyre aktiviteteve rrit përgjegjësinë, rrit problematikat dhe natyrisht dëshmon se ky sezon është shumë i rëndësishëm për të treguar nëse Shqipëria është e gatshme ose që jemi akoma në fazën preliminare të një Shqipërie turistike europiane”, u shpreh ministri.
Klosi u ndal ndër të tjera te risitë e këtij sezoni turistik, duke vënë theksin te mikpritja, aktivitet argëtuese, turizmi i kulinarisë dhe ai kulturor e historik, për t’u dhënë arsye turistëve për t’u rikthyer serish në Shqipëri.
Po ashtu, ministri solli edhe një herë në vëmendje politikat lehtësuese fiskale dhe zonat me përparësi të zhvillimit të turizmit që janë miratuar nga qeveria për të nxitur dhe zhvilluar agroturizmin.
“Oferta e qeverisë për të gjithë ata biznesmenë ë cilët duan të ndërtojnë një biznes të qëndrueshëm është fare e qartë. Ata do të përfitojnë nga ulja e taksës në 5 për qind në taksën e fitimit nga 15 që është në biznesin normal . Kush krijon një strukturë agroturistike do të përfitojë 6 për qind ulje të TVSH për të gjitha shërbimet brenda biznesit të tij dhe 0 taksë infrastrukture”, tha Klosi.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.