“Siguria në shkolla”, Rama: Në Mars, 1 deri në 3 oficerë policie në 15 gjimnaze
Një figurë e re do ti shtohet stafeve mësimore në gjimnazet e vendit. Bëhet fjalë për oficerë policie.
Gjatë prezantimit të programit për vendosjen e sigurisë në shkolla, kryeministri, Edi Rama, u shpreh se duke filluar që nga muaji mars, në 15 gjimnazet e Tiranës do të vendosen 1 deri në 3 oficerë policie, të cilët do të bëjnë të mundur rritjen e sigurisë dhe parandalimin e fenomeneve si dhuna apo shpërndarja e lëndëve narkotike.
Sipas Ramës, kjo figurë do të shërbejë si urë lidhëse mes mësuesve, prindërve dhe nxënësve.
Kryeministri shtoi se, oficerët e policisë do të jenë mësues të trajnuar në Akademinë e Sigurisë, e cila ka një kurrikul për këtë detyrë.
E pranishme në prezantimin e kësaj nisme, ministria e Arsimit Rinisë dhe Sportit, Lindita Nikolla, u shpreh besimplotë për rezultatet pozitive që do të sjellë zbatimi i këtij programi.
Programi “siguria në shkolla” është bazuar në eksperienca perëndimore, ku sipas kryeministrit ka rezultuar i suksesshëm. Në shtator, ky program pritet të shtrihet në të gjitha gjimnazet e vendit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.