Siguria rrugore po “zhvat” PBB – Studimi i BB: Mungesa e investimeve ul deri në 22% PBB për frymë

Një studim i fundit i Bankës Botërore, i sapopublikuar dhe unik në llojin e tij, mat impaktin që kanë aksidentet rrugore në ekonominë e vendeve në zhvillim, me të ardhura të ulta dhe të mesme, grupim në të cilin bën pjesë edhe Shqipëria.
Të dhënat janë deri diku tronditëse, pasi tregojnë një kosto mjaft të lartë ekonomike. Raporti që mban titullin “Taksa e lartë e aksidenteve në trafik”, është përpiluar mbi bazën e një metodologjie të re. Për Shqipërinë ndërkohë, ky raport duhet parë si një këmbanë alarmi nga organet vendimmarrëse dhe ato ligjzbatuese.
Të dhënat e Instat dhe Eurostat tregojnë se, në Shqipëri rruga praktikisht vret. Vendi ynë ka normën e tretë më të lartë të vdekjeve në rrugë në kontinent, 94 të tilla për 1 milionë banorë.
Mesatarja e Bashkimit Europian fiksohet në 50 viktima për 1 milionë banorë. Studimi i Bankës Botërore fokusohet ekskluzivisht te siguria rrugore, dhe investimet e munguara në këtë drejtim.
Në vendin tonë, siguria e mangët rrugore është ndoshta shkaku kryesor i aksidenteve. “Aksidentet e shumta rrugore në Shqipëri lidhen direkt me investimet e pakta në mirëmbajtjen e Rrugëve”, nënvizonte Banka Botërore në një tjetër studim të disa kohëve më parë.
Banka Botërore, në raportin e fundit, arrin në përfundimin se, vendet që nuk investojnë sa duhet në këtë drejtim humbasin 7% deri në 22% Prodhim të Brendshëm Bruto potencial për frymë në një periudhë 24-vjeçare.
Mos veprimi i politikbërësve në këtë drejtim përkthehet në 1.25 milionë vdekje të vit në të gjithë botën, rënie të produktivitetit si dhe ritme më të ulta të rritjes ekonomike, thotë Banka Botërore.
Rritja e shpejtë e të ardhurave në vendet në zhvillim ka çuar në motorizmim më të shpejtë të shoqërisë, por të pashoqëruar me standarde sigurie. Raporti thotë se, një ulje me 10% vdekjeve të rrugë përkthehet në një rritje të prodhimit të brendshëm bruto për frymë, me të paktën 3.6%.
Në Shqipëri ndërkohë, thuajse të gjitha qeveritë me radhë kanë bërë premtime, edhe me shifra konkrete, sa i përket investimeve për sigurinë rrugore, por situata vijon të mbetet alarmante, jo vetëm në rrugët dytësore, por edhe në akset kryesore, ku mungojnë edhe elementët kryesorë të sigurisë, si sinjalistika horizontale apo vertikale, ndriçimi, trafikndarësit, për të mos folur për gropat dhe pengesat e shumta në asfalt.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.