Siguria ushqimore – AKU bllokon dhjetëra kilogram mish dhe vendos gjoba
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar kontrolle rigoroze në të gjithë vendin për garantimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik.
Sipas njoftimit, Drejtoria Rajonale e AKU Shkodër ka kontrolluar në thertore e dyqane mishi, duke vendosur 2 gjoba me vlerë 190 mijë lekë si dhe ka bllokuar dhjetëra kilogram mish të pasigurt për konsum.
AKU tha nga kontrollet e kryera se në një subjekt në Bërdicë, Shkodër, inspektim i kryer në kushtet e flagrancës u konstatua se subjekti ishte i pajisur me “NIPT” për tregtim të artikujve të ndryshëm ushqimor, por në kundërshtim me ligjin ushtronte aktivitetin e tregtimit të mishit i pa regjistruar në QKB dhe pa miratim nga AKU.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit u konstatua një sasi mishi i varur në çengela të ndryshkur, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare, çka përbën shkelje të kërkesave ligjore.
Masat që u morën nga shkeljet në fjalë ishin gjobë 140,000 lekë për tregtim të mishit nga subjekt i paregjistruar, gjobë 50,000 lekë për mosplotësimin e kushteve për tregtimin e mishit dhe u bë bllokimi i menjëhershëm i aktivitetit deri në regjistrimin në QKB si dhe u bë bllokimi I produktit të konsideruar i pasigurte për konsum me qëllim asgjësimin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.