Siguria ushqimore – Mani: Nuk është e garantuar, s’ ka kontrolle
Siguria e cilësisë së produkteve ushqimore në vendin tonë nuk është e garantuar, kjo sipas ekspertes për sigurinë ushqimore Aelita Mani ndodh për shkak të mungesës së kontrolleve në zinxhirin ushqimor. Mani në një intervistë për televizionin SCAN thekson se kjo pasiguri vjen nga punësimi i inspektorëve të pakualifikuar si edhe nga subjekte dhe njësi tregtare të cilat nuk respektojnë ligjin për ofrimin e produkteve ushqimore në veçanti ato me prejardhje shtazore, në kushte të përshtatshme të higjienës.
“Siguria ushqimore nuk është e garantuar. Janë hallka dhe zinxhirë ushqimore të pakontrolluara. Cilësinë e tokës ne nuk e garantojmë sot dhe vështirë që të kontrollohet dhe kjo të reflektohet në cilësinë e produkteve ushqimore. Kemi një ushtri dhe armatë të tërë të inspektorëve, pjesa më e madhe e tyre e pakualifikuar, të pandërgjegjësuar. Kemi njësi tregtare dhe individë që tregtojnë dhe përpunojnë produkte ushqimore të pandërgjegjësuar, që do të thotë se ata nuk e respektojnë implementimin dhe zbatimin e kontrollit të pikës kritike të linjës së tyre të procesimit apo të prodhimit.”
Lidhur me ndikimin e njësive përpunuese dhe paketuese në sigurinë e produkteve ushqimore Mani u shpreh se këto njësi janë ndërgjegjësuar pasi vetëm duke respektuar sigurinë mbrojnë investimin e tyre.
“Kemi njësitë përpunuese, agro-përpunuese, paketuese të cilat janë kompani që garantojnë sigurinë ushqimore për konsumatorët dhe kjo jo si rezultat i frikës së kontrollit nga këto institucione, por si rezultat për të mbrojtur investimin e tyre. Pasi sot, investitorët e kanë kuptuar që për të mbrojtur investimin e tyre ato duhet të respektojnë në radhë të parë sigurinë ushqimore dhe të kenë të implementuar në kompanitë e tyre kërkesat e sigurisë ushqimore për evidentimin dhe minimizimin e riskut që vjen nga pika kritike e linjës dhe e gjithë procesit të tyre.”
Mani u shpreh se ka ende shumë punë për tu bërë lidhur me instutucionet që bëjnë kontrollet, pasi disa prej tyre kanë ende problem me certifikimin e laboratorëve sipas standardeve ndërkombëtare.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.