Siguria ushqimore në pikat turistike – Sejko: Në 4 ditë, 13 gjoba dhe 3 bllokime aktiviteti
Përgjatë sezonit turistik, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka intensifikuar kontrollet, ndërkohë që vetëm 4 ditët e fundit janë vendosur 13 gjoba, janë bërë 3 bllokime aktiviteti si dhe 50 paralajmërime për shkak të mungesës së kushteve të tregtimit”.
Të dhënat për TV SCAN bëhen me dije nga drejtori i Përgjithshëm, Dritan Sejko, i cili shton se problem janë subjektet e palicencuara, për shkak se nuk janë objekt kontrolli nga inspektorët.
“Kemi shtuar numrat e inspektimeve në këto zona, po përveç kësaj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ngritur një task-force së fundmi që operon në muajin Gusht. Problemet janë të ndryshme, ato që janë përgjatë gjithë vitit, nuk është se ndryshojnë problemet gjatë sezonit turistik, janë po të njëjtat. Janë kushtet, janë librazat shëndetësore, janë data e skadencës, mënyrat e trajtimit të produkteve, mbajtja në kushte frigoriferikë, sidomos në këtë sezon që është shumë e rëndësishme. Për 4 ditë janë dhënë 13 masa me gjobë, 3 janë bllokime aktiviteti dhe 50 janë paralajmërime”, shtoi drejtori i AKU.
Sipas Sejkos numri i inspektorëve dhe buxheti për institucionin që ai drejton janë të pamjaftueshëm, pavarësisht se nga viti në vit ka pësuar rritje.
“Një sfidë siguria ushqimore, e cila kërkon edhe inspektorë si numër, kërkon edhe kualifikim, por kërkon edhe kushte të inspektorëve. Nuk mund të themi që gjithmonë buxheti është i mjaftueshëm. Në dijeninë time, qeveria e ardhshme do të ketë një vlerësim shumë herë më të madh për sigurinë ushqimore”, u shpreh Sejko.
Sipas kreut të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ndërgjegjësimi i qytetarëve për të denoncuar shkeljet në drejtim të sigurisë ushqimore mbetet i ulët, ndërsa iu bën thirrje të gjithë konsumatorëve dhe turistëve të raportojnë çdo problem që konstatojnë, jo vetëm pranë pikave turistike, por në të gjithë territorin.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.