Siguria ushqimore, Peleshi: Në dy muaj 1 mln $ gjoba. Shumë shpejt siguri maksimale në markete
Referuar kontrolleve të fundit të AKU-së, Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi është shprehur nga Korça, se shumë shpejtë konsumatorët do të jenë të sigurt për produktet që marrin në markete. Vetëm në 2 muajt e fundit gjobat e vendosuar nga AKU në subjektet abuzuese janë në vlerën e një milion dollarë. Por pavarësisht kësaj ministri Peleshi shprehet se ka ende shumë për të bërë që vendi të harrojë standardet europiane për sigurinë ushqimore.
“Në 2 muaj AKU sekuestroi dhe asgjësoi 106 ton produkte ushqimore shtazore e jo shtazore dhe 200 të tjera janë asgjësuar nga ana e vetë subjekteve ku përfshihen mallra që kanë kaluar afatin e skadencës. Vetë subjektet për shkak të riskut për ti tregtuar që është i lartë, kanë filluar të kërkojnë asgjësimin e mallit. Përgjegjshmëria është rritur dhe kjo është një rrugë që do të risë sigurinë ushqimore. Ne po ecim me shpejtësi drejt garantimit të njësive tregtare për siguri ushqimore. Për shumë pak kohë siguria ushqimore në produkte si qumështi apo mishi e të tjera do të jetë 100%. Vetëm në dy muaj e gjysmë numri i gjobave ka shkuar mbi 1 mln dollarë dhe numri i inspektorëve, veterinerëve e të tjerë që janë çuar në prokurori në shkallë vendi ka shkuar në 60”, u shpreh ministri.
Kontrollet e shpeshta të AKU-së në të gjithë vendin kanë bërë që edhe vetë bizneset të ndërgjegjësohen për cilësinë ushqimore. Kështu janë asgjësuar rreth 200 tonë mallra të skaduar nga vetë bizneset.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.