Siguria ushqimore prioritet, Peleshi: Me reformën e qumështit, fund konkurrencës së pandershme
Reforma e qumështit, e nisur më së fundmi nga Ministria e Bujqësisë do të garantojnë sigurinë ushqimore me standarde europiane dhe do ti japi fund konkurrencës së pandershme. Nga qyteti i Lezhës, gjatë një vizite në një fermë moderne, ministri Niko Peleshi, tha se reforma e ndërmarrë do të rregullojë tregun e qumështit dhe do t’i japë oksigjen investimeve serioze.
“Unë zgjodha të jap disa mesazhe, që lidhen me reformën që kemi lancuar për qumështin, për kontrollin e qumështit dhe për disiplinimin e gjithë këtij nënsektori shumë të rëndësishëm, për ushqimin dhe sigurinë ushqimore, për konsumatorin në përgjithësi.”
“Ne kemi vendosur, që me këtë reformë t’i japim fuqi, t’i japim mundësi operimi të vegjëlve, apo të mëdhenjve, nuk ka rëndësi, por seriozëve. Pra atyre, që para se të bëjnë një investim, lexojnë standardet ligjore, marrin profesionistët, ekspertët përkatës, zbatojnë të gjitha kërkesat e ligjit, dhe të sigurisë ushqimore në radhë të parë, dhe pastaj fillojnë të kryejnë aktivitetin. Mund të mbijetosh, të bësh biznes, të ndërtosh një ekonomi të mirë edhe duke qenë i vogël, një prodhues i vogël, apo një përpunues i vogël. Kjo nuk është një reformë për të mbyllur të vegjlit dhe për të lënë të mëdhenjtë. Kjo është një reformë, për të lënë në lojë, ata që janë seriozë”.
Peleshi i bëri thirrje të gjithë bizneseve që operojnë në këtë sektor, se në qoftë se duan të qëndrojnë në treg dhe të marrin subvencione nga shteti, duhet të plotësojnë kushtet, për të prodhuar qumësht me cilësinë Alfa.
“Siguria ushqimore, gjurmueshmëria, garantimi i produkteve që shiten në raftet e supermarketeve, për ne është një prioritet, të cilit nuk i ndahemi, derisa ta realizojmë. Ne do të garantojmë, që në raftet e supermarketeve shqiptare, të gjitha ushqimet të jenë të sigurta. Data e skadencës, të jetë datë skadence dhe të mos jetë e falsifikuar, të gjithë përbërësit të jenë të përshkruar, dhe duam të ndërtojmë një sistem, që të jetë nga më modernet në Europë, jo i fundit në Europë, siç është sot.”
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.