Sigurimet për të vetëpunësuarit, Nikollaj: Qeveria duhet të aplikojë lehtësi fiskale

Vendimi për rritjen e pagës minimale nga 22 mijë në 24 mijë lekë në muaj, që pritet të miratohet këtë javë, pavarësisht lajmit pozitiv që sjell për rreth 200 mijë punonjës, do të prekë edhe të vetëpunësuarit, duke rritur kontributet për sigurime shoqërore.
Sipas ligjit, sigurimet për të vetëpunësuarit në bizneset e tyre përfshirë punonjësit pa pagesë të familjes, llogariten mbi pagën minimale. Aktualisht pagesa mujore për to është 6,556 lekë në muaj, ndërsa me ndryshimin e pagës minimale, shkon në 7152 lekë në muaj.
Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, thekson në një intervistë për “TV SCAN”, se për këtë kategori qeveria duhet të shohë lehtësira fiskale në mënyrë që të mos rëndohen nga efektet e rritjes.
Pas miratimit të vendimit në fjalë, shuma mujore e kontributeve për të punësuarit me pagë minimale bëhet 6,696 lekë, nga 6,139 lekë, që ishte më parë. Rritje do të pësojnë edhe sigurimet e punonjësve me pagë maksimale, të cilat nga 27,071 lekë, shkojnë në 29,532 lekë në muaj.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.