Sigurimet “zgjidhin qesen” – 3-mujori, dëmet e paguara u rritën me 83%

Dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimeve në fillim të këtij viti janë rritur me ritme të larta. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, dëmet janë rritur me 83% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Rritja e këtij tremujori ka sjellë edhe një raport mjaft të lartë mes dëmeve dhe primeve, në nivelin prej afro 43%, zhvillim ky i pazakontë për tregun shqiptar të sigurimeve. Dëmet janë rritur jo vetëm në vlerë, por edhe në numër rastesh, me afro 50% krahasuar me tremujorin e vitit të kaluar.
Sipas përfaqësuesve të kompanive, të kontaktuar nga TV SCAN, rritja e dëmeve të paguara lidhet kryesisht me shlyerjen e detyrimeve nga vitet e mëparshme dhe sidomos të atyre që i takojnë fondit të kompensimit.
Pas një trysnie në rritje nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe një vendimi që kërkonte pagesën e dëmeve të vjetra që i takojnë Fondit të Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, kompanitë kanë shlyer një pjesë të madhe të këtyre detyrimeve në tremujorin e parë të këtij viti.
Për sa i takon primeve, tregu i sigurimeve ngadalësoi ritmin gjatë muajit mars, megjithatë, e mbylli tremujorin e parë të vitit në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vlera e primeve të sigurimit u rrit me 17.6% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Sigurimet e detyrueshme motorike dominojnë strukturën e primeve, me afro 65% të totalit, ndërkohë që për sigurimin e brendshëm motorik, rritja e tremujorit ishte në nivele të përafërta me mesataren e tregut.
Një rritje të lartë në tre muajt e parë të vitit ka regjistruar edhe klasa më e rëndësishme e sigurimit vullnetar, ajo e sigurimit kundër zjarrit dhe forcave të natyrës. Primet në këtë kategori janë dyfishuar krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Besohet se kjo rritje lidhet me sigurimin e projekteve të mëdha inxhinierike të investimeve të huaja.
Për tre muajt e parë të vitit, edhe segmenti i sigurimit të jetës regjistroi një rritje të kënaqshme, me 23.3%. Megjithatë, pesha e jetës në tregun e sigurimeve ngelet relativisht e ulët, me rreth 7% të primeve totale.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.