Sigurimi i debitorëve – Bankat licencohen si agjentë ndërmjetësimi
Bankat tregtare po zgjerojnë spektrin e aktivitetit të tyre, duke u licencuar edhe si agjentë të ndërmjetësimit në sigurime. Së fundmi, Credins Bank ka marrë miratimin paraprak nga Banka e Shqipërisë për të kryer këtë aktivitet, pasi të jetë licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Më herët, licenca për këtë aktivitet është marrë edhe nga banka të tjera. Marrja e një licence të tillë nuk nënkupton një angazhim me spektër të gjerë për të ndërmjetësuar në shitjen e policave të sigurimit, por kryesisht me tregtimin e produkteve të lidhura me aktivitetin bankar.
Në dhënien e kredive afatgjata, bankat kërkojnë domosdoshmërisht sigurimin e jetës së kredimarrësit dhe të pronës që lihet si kolateral. Me marrjen e licencës së ndërmjetësimit, këto produkte mund të blihen nga klienti direkt në bankë.
Bankat në këtë rast do të përfitojnë edhe komisionin e ndërmjetësimit, çka krijon mundësi për zgjerimin e bazës së tyre të të ardhurave. Vitin e kaluar, primet e shkruara bruto nga produktet e sigurimit të jetës së debitorit dhe sigurimit të garancive arritën në 760 milionë lekë.
Një pjesë e mirë e primeve të arkëtuara kanë shkuar si komisione për agjentët. Përqindja e komisionit është e ndryshme në varësi të kompanisë së sigurimit dhe të produktit, megjithatë, përgjithësisht komisionet që paguajnë siguruesit janë të paktën sa 10% e primit të shkruar bruto.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.