Siguruesit paguan 28 mijë dëme – Një dëm për çdo 26 kontrata sigurimi të lidhura
Kompanitë e sigurimeve paguan më shumë se 28 mijë dëme në shtatë muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, numri i dëmeve të paguara është rritur me 10% krahasuar me vitin e kaluar. Mbështetur në statistikat e të njëjtës periudhë, mund të llogaritet se industria e sigurimeve në Shqipëri paguan një dëm për çdo 26 kontrata sigurimi që lidhen. Shuma mesatare e dëmit të paguar për këta shtatë muaj ishte rreth 122 mijë lekë, me një rritje të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.
Dëmet më të kripura, në vlerë, janë ato që lidhen me sigurimin e pronës nga zjarri, forcat e natyrës apo nga dëmtimet e tjera. Dëmi mesatar në këto klasa për këtë vit ishte rreth 6.6 milionë lekë. Ndërkohë, dëmi mesatar në produktet më të rëndësishme të tregut të sigurimeve, atë të përgjegjësve motorike ndaj palëve të treta, është rreth 238 mijë lekë. Por, nga ana tjetër, gjasat që kompanitë të pësojnë një dëm në sigurimet e detyrueshme motorike janë shumë më të mëdha.
Për shtatë muajt e parë të këtij viti siguruesit kanë paguar një dëm për çdo 57 kontrata të sigurimit të përgjegjësive motorike ndaj palëve të treta. Ndërkohë, në sigurimin e pronës paguhet një dëm për çdo 361 kontrata të lidhura. Në sigurimet vullnetare gjasat për të pësuar një dëm janë më të ulëta, ndaj promovimi i tyre në fakt do të ishte në interes edhe të industrisë së sigurimeve. Por, pavarësisht nga kjo, tregu ngelet thellësisht i fokusuar te produktet e detyrueshme dhe sidomos tek ato motorike. Për shtatë muajt e parë të vitit, sigurimet motorike.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.