Siguruesit paguan më pak dëme vitin e kaluar/ Rënie me 8.6% për vitin 2019
Siguruesit paguan më pak dëme vitin e kaluar. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, totali i dëmeve të paguara ishte më pak se 6.4 miliardë lekë, në rënie me 8.6% krahasuar me vitin 2018.
Dëmet e paguara pësuan rënie në segmentin e jetës, atë të jo-jetës si edhe në fondin e kompensimit të Byrosë së Sigurimeve. Raporti i thjeshtë dëme-prime zbriti në 36.2%, nga 42.2% që kishte qenë një vit më parë.
Ndërkohë, një fakt domethënës është se dëmet pezull të kompanive të sigurimit këtë vit janë edhe më të mëdha se dëmet e paguara.
Sipas AMF-së, dëmet pezull në fund të vitit 2019 arritën shumën e 7.5 miliardë lekëve, në rritje me 62% krahasuar me një vit më parë.
Besohet se një ndikim të konsiderueshëm pati tërmeti i fundvitit, sepse vetëm për dhjetorin shuma e dëmeve pezull u rrit me rreth dy miliardë lekë.
Kjo pritet të përcillet në shuma të mëdha dëmesh që duhen paguar gjatë vitit pasues dhe ndoshta do të ketë një ndikim në performancën e tregut.
Nga ana tjetër, shumat e mëdha të dëmeve pezull mund të jenë një tregues se kompanitë e sigurimit janë të ngadalta në zhdëmtimin e siguruesve dhe shpeshherë çështjet përfundojnë në gjykata. Deri në fund të shtatorit 2019, vlera dëmeve objekt çështjesh gjyqësore ishte rreth 11.5 milionë euro.
Në këndvështrimin e performancës, deri në fund të 9-mujorit, viti 2019 ka rezultuar i mbarë për siguruesit Fitimi neto arriti në 1.1 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej rreth 31%.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.