Sindroma Down në Kosovë – Vetëm 3 të punësuar nga 900 individë
Në ditën e sensibilizimit mbi Sindromën Down, situate e punësimit të njerëzve me këtë sindromë në Kosovë paraqitet shumë problematike.
Nga rreth 900 persona me sindromën Down në Kosovë, vetëm 3 prej tyre janë të punësuar. Janë institucionet private që punësojnë këta individë, ndërsa në administratën publike nuk ka asnjë të punësuar.
Ndonëse kuadri ligjor nxit punësimin e këtyre individëve, qeveria shërben vetëm si inkurajuese për organizata të ndryshme të ngrenë projekte për këtë shtresë të shoqërisë. Një nga këto nisma është ajo e Shoqatës Down Syndrom Kosova, e cila ka hapur një kafene, ku të ardhurat shfrytëzohen për nevojat e shoqatës.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi vlerëson një organizim të tillë.
“Personat me sindromën Down, meritojnë vëmendje dhe ne po mundohemi t’i ndihmojmë me aq sa kemi mundësi përmes projekteve. Unë mendoj që duhet të ndodhin këto aktivitete, pasi këta njerëz janë pjesë e shoqërisë tonë dhe meritojnë të kenë vëmendje dhe respekt. Mendoj që edhe komunat tjera duhet të kenë aktivitetet të tilla”, u shpreh Abrashi.
Ndërkohë në mars pritet dorëzimi i një projektligji nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, që do të përfshijë të gjitha shoqatat e personave me aftësi të kufizuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.