Sinjalizimet në rajon dhe Europë

Lufta ndaj korrupsionit është një ndër aspektet, që simbolizon qeverisjen e mirë e njëherësh mbetet edhe sfidë për shtetet, duke nisur nga ato më të zhvilluarat. Përllogaritet se ekonomisë së BE-së korrupsioni i sjell një humbje prej afro 120 miliardë eurosh në vit. Në Shqipëri, Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) i rezulton se si pasojë e keqmenaxhimit të fondeve dhe abuzimeve nga institucionet shtetërore, humbjet në buxhetin e shtetit, përllogariten në 6.2 miliardë euro, në tetë vitet e fundit.
Sa i përket rasteve të denoncuara të aferave korruptive nga punonjësit, si në sektorin publik ashtu edhe atë privat, ato janë të papërfillshme. Ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” nuk arriti të japë efekte, përkundër pritshmërive në momentin e miratimit, në vitin 2016.
Në fakt, mungesa e kulturës së sinjalizimit, ndeshet edhe në vende të Bashkimit Europian, por sërish prej andej vijnë plot shembuj pozitivë. Sinjalizuesi francez Antoine Deltour, zbuloi aferën ndërkombëtare “Lux Leaks”, edhe pse më pas i kushtoi përballjen me disa akuza, mes të cilave edhe për vjedhje të informacionit të kompanisë. Teksa shqyrtohej rasti “Deltour”, Bashkimi Europian intensifikoi diskutimet për të parashikuar një nivel më të lartë mbrojtjeje për sinjalizuesit nga hakmarrja. Në prill të vitit 2019, Parlamenti Evropian me shumicë dërrmuese votoi pro Direktivës për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, duke plotësuar një boshllëk të rëndësishëm legjislativ.
Mbrojtja që ofrohej deri në atë kohë ndaj sinjalizuesve, nuk vlerësohej gjithëpërfshirëse, në vendet anëtare.
Një studim i kryer nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, evidentoi se deri në vitin 2009, vetëm gjashtë shtete europiane, si: Belgjika, Franca, Norvegjia, Hollanda, Rumania dhe Mbretëria e Bashkuar, kishin miratuar rregulla të dedikuara për sinjalizimin. Gjatë dekadës së fundit, më shumë se gjysma e vendeve anëtare të BE-së, parashikuan garanci e mbrojtje për sinjalizuesit, edhe pse, jo gjithmonë kishin një ligj të dedikuar për këtë proces.
Megjithatë, edhe në mungesë të mbrojtjes ligjore kombëtare, në rast cënimi për “bilbilfryrësit” shihej si garanci Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Strasburg), e cila ka dhënë disa vendime në favor të sinjalizuesve, duke i argumentuar nën lëmin e lirisë së shprehjes.
Nordikët “Bilbilfryrësit” më të guximshëm
Korrupsioni shfaqet në të gjitha nivelet, por besimi në qeverisjen lokale vlerësohet më shumë sesa në nivelin kombëtar dhe lidhet drejtpërdrejt me aftësinë e njësisë vendore për të qeverisur në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente.
Kur bëhet fjalë për sinjalizimin e aferave korruptive në nivel vendor, shtetasit nordikë, duket se nuk i mendojnë gjatë pasojat me të cilat mund të përballen. Nga studimet e kryera në 20 bashki në Norvegji, ku mbrojtja ligjore e sinjalizuesve garantohet që nga viti 2007, rezulton se më shumë se gjysma e punonjësve që kanë konstatuar abuzime në institucionet e qeverisjes vendore, i kanë raportuar ato. 8 në 10 punonjës që kishin sinjalizuar për shkelje zyrtarët, deklaruan se do t’a bënin përsëri nëse do të ishte e nevojshme, edhe pse 7–18 % e tyre përjetuan hakmarrje pas denoncimit.
Në Mbretërinë e Bashkuar, në 69% të rasteve të sinjalizimit në qeverisjen vendore, pozicioni i sinjalizuesve u përkeqësua pas përpjekjes së parë për të raportuar shkeljet. Në përpjekjen e dytë pasojat negative i ndjenë 75% e sinjalizuesve, ndërsa në denoncimin e tretë, ata janë të prirur të japin dorëheqjen më shumë se në çdo sektor tjetër.
Një sondazh në Ballkanin Perëndimor, i kryer në vitin 2017 nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, që përfshiu edhe Shqipërinë, tregoi se pavarësisht bazës ligjore, rajoni nuk ofronte klimë miqësore me sinjalizuesit. Ndër 7 mijë qytetarë të intervistuar, rreth 16% e tyre mendonin se sinjalizuesit duhet të ndëshkoheshin për veprimet e tyre. Qëndrimet shoqërore ndaj sinjalizimit shihen të lidhura me nivelin e ulët të besimit në institucionet publike por edhe në strukturat e drejtësisë.
Serbia ka një ligj unik, që konsiderohet si standardi i artë në nivelin ndërkombëtar nga ekspertët. Nga hyrja në fuqi në vitin 2015, e deri më 30 Qershor 2017, si pasojë e sinjalizimeve filluan 427 procedime penale. Por praktika, sipas ekspertëve ka nxjerrë në dritë edhe disa mospërputhje në zbatueshmërinë e ligjit, kryesisht për shkak të mënyrës së organizimit të sistemit gjyqësor dhe veçanërisht gjykatave. Një problem i evidentuar është mosrespektimi nga disa punëdhënës i vendimeve të gjykatave në favor të sinjalizuesit. Në Serbi, sipas sondazheve ndër 10 sinjalizues 7 janë burra, ndërsa 3 nga 4 denoncues janë punonjës të sektorit publik. Sa i përket natyrës së raporteve, 42% i referohen abuzimeve me detyrën, 22% praktikave korruptive, 15% e shkeljeve të drejtave të njeriut, ndërsa pjesa tjetër shkeljeve të ndryshme.
Deri vitin 2019 Kroacia nuk kishte një ligj të mirëfilltë për sinjalizimin. Ai hyri në fuqi në 1 Korrik të atij viti, teksa diskutimet për të nisën para vitit 2013. Asokohe Ministria e Drejtësisë zhvilloi një sondazh me punonjësit e saj, mbi perceptimin për mbrojtjen e sinjalizuesve, por duke ruajtur anonimatin e të anketuarve. Nga 78 zyrtarë të ministrisë, 31 prej tyre u shprehën se nëse konstatonin shkelje, nuk do t’i denonconin ato. Por me miratimin e ligjit, niveli i mbrojtjes për sinjalizuesit dhe rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e raportimit të parregullsive, pritet të përmirësojë mjedisin kroat të punës.
Korrupsioni shtrihet në çdo hallkë dhe lufta ndaj tij mbetet një sfidë e vazhdueshme për qëveritë. Me miratimin e Direktivës së Bashkimit Europian, që parashikon standartet minimale të mbrojtjes së sinjalizuesve, të gjitha shtetet e Unionit kanë afat për transpozimin deri më 17 dhjetor 2021.
Po në Shqipëri, a do t’i nënshtrohet baza ligjore ndryshimeve, në frymën e Direktivës?
Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka paraqitur disa sugjerime Kuvendit, duke nisur nga zgjerimi i bazës së subjekteve që përfitojnë mbrojtje nga hakmarrja, për të përfshirë edhe personat e tretë, të lidhur me sinjalizuesin.
Po ashtu vlerësohet e rëndësishme, që ligjvënësi të mos kufizojë me listë shteruese katëgorinë e veprave, që mund të konsiderohen veprime apo praktika të dyshuara korruptive.
Dafina Hysa/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.