“Sipërmarrësit e së nesërmes” – Bursa studimi në TBU dhe çmime speciale nga partnerët për fituesit
664 maturantë nga i gjithë vendi u bënë pjesë e konkursit “Sipërmarrësit e së nesërmes” organizuar nga Tirana Biznes University College, mbështetur nga partnerë të shumtë mes të cilëve dhe CREDINS Bank, Radio Televizioni SCAN, kompania BALFIN etj. Të ndarë në rreth 200 grupe, për 11 ditë rresht, maturantët prezantuan përpara jurisë së përbërë nga përfaqësues të partnerëve mbështetës dhe pedagogë të TBU, idetë e tyre dhe aftësitë në sipërmarrje.
Për menaxherin e marketingut dhe marrëdhënieve me publikun pranë TBU, Oltjon Valisi, ky konkurs është një mundësi e mirë për maturantët ,të cilët pasi përzgjidhën, u ofrohen bursa studimi nga Tirana Biznes University College, si edhe oferta speciale nga partnerët mbështetës.
Në muajin maj pritet të organizohet ceremonia për shpalljen e maturantëve fitues bazuar në vlerësimin mbi performancën individuale ose në grup. Ky është viti i 8-të radhazi që organizohet ky konkurs, ndërkohë më datë 24 prill çelet edicioni i 4 i konkursit “Juristët e së nesërmes” ku do prezantojnë idetë e tyre 186 maturantë të tjerë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.