Sipërmarrja çeke – Turizmi dhe bujqësia sektorët tërheqës për të investuar
Sipërmarrësit çekë po shprehin interes për të investuar në vendin tonë sidomos në fushën e bujqësisë dhe turizmit. Marrëdhëniet e mira politike që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Çekisë do të jenë një shtysë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Në vazhdim të vizitës së Kryetarit të Senatit çek në Tiranë, Milan Stech, u zhvillua Forumi Ekonomik Shqipëri-Çeki, ku theksi u vu mbi reflektimin në rritje të shkëmbimeve tregtare të dy vendeve.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u shpreh se Çekia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, po aq sa mbështeti anëtarësimin tonë në NATO, ndërkohë që reformat janë garanci për investitorët.
Kryetari i Senatit çek, Milan Shtech siguroi për mbështetjen që Çekia do të japë për Shqipërinë në rrugën e integrimit europian, dhe se kompanitë e të dy vendeve kanë kapacitete të rrisin bashkëpunimin.
Në këtë forum morën pjesë dhe Ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato dhe Zëvendësministri i Industrisë dhe Tregtisë Ceke, Vladimir Bartl. Në fund të këtij forumi u nënshkrua memorandum i bashkëpunimit midis bizneseve të dy vendeve.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.