Sipërmarrjet pasive – Tatimet nxjerrin listën e afro 110 mijë bizneseve
Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore kanë bërë që sipërmarrësit, por edhe administrata fiskale të jetë më e qartë për situatën e biznese në vend. Kështu referuar përditësimit të të dhënave të regjistrit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, numri total i bizneseve pasive arriti në 109,099.
Sipas legjislacionit në fuqi, bizneset që rezultojnë me status pasiv nuk janë subjekt i dorëzimit të bilancit pranë Qendrës Kombëtarë të Biznesit. Ky deklarim bëhet vetëm nëse ky biznes për periudhën gjatë së cilës ka qenë me status aktiv ka qenë regjistruar si subjekt me përgjegjësi tatimore tatim fitimi, atëherë ai duhet të kryejë depozitimin e pasqyrave financiare.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjatë dy viteve të fundit po aplikon procedurën për përditësimin e listës së këtyre subjekteve, kjo në sajë të funksionimit edhe të sistemit të ri informatik të tatimeve. Ky sistem tashmë po nxjerr automatikisht edhe strukturën e bizneseve që janë “borxhli” ndaj tatimeve, si dhe bizneset e tjera që janë në proces falimenti.
Ky sistem të dhënash nga administrata tatimore, krahas uljes së evazionit fiskal, ka për qëllim dhe publikimin e listës, e cila vë në dijeni palët e treta për të mos kryer transaksione (shitje – blerje) me subjekte të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv.
Një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; nuk dorëzon deklaratën tatimore për një vit dhe gjithashtu deklaron në QKR pezullim veprimtarie tregtare për një periudhë njëvjeçare apo pa afat të përcaktuar.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.