Sistemi bankar – Dymujori me fitim, kreditë me probleme 13.7%
Viti 2018 ka nisur pozitiv për sistemin bankar. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, dy muajt e parë të vitit u mbyllën me rezultat financiar pozitiv në vlerën e 2.1 miliardë lekëve.
Fitimi i sistemit bankar është më i ulët krahasuar me një vit më parë, kur kishte arritur në afro 2.6 miliardë lekë. Megjithatë, një lloj korrektimi në rënie i fitimeve për këtë vit mund të jetë i pritshëm, duke pasur parasysh se fitimi i gjithë vitit 2017, në vlerë absolute, përfaqësoi një rekord për sistemin bankar. Përfitueshmëria ka rënë në terma të kthimit nga kapitali në nivelin 8.6%, ndërsa një vit më parë ishte 11.1%.
Raporti i kredive me probleme u rrit lehtë për muajin shkurt në 13.7%, nga 13.5% që kishte qenë në janar. Për momentin, bankat nuk po i japin dot vijueshmëri uljes së fundit të vitit 2017, kur raporti i kredive me probleme zbriti në 13.2%, niveli më i ulët në shtatë vitet e fundit.
Megjithatë, ky tregues në fund të vitit kalendarik ulet për shkak të fshirjes së kredive që klasifikohen të humbura prej më shumë se tre vitesh, për shkak të kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë. Ky veprim zakonisht bëhet në muajt e fundit të vitit, para mbylljes së bilanceve, duke sjellë ulje të ndjeshme në raportin e kredive me probleme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.