Sistemi bankar i sigurtë – Yellen: kriza është lënë pas, kujdes në të ardhmen

Shefja e Rezervës Federale, Janet Yellen, deklaroi se sistemi financiar tashmë është i sigurtë dhe e ka lënë plotësisht prapa krizën financiare. Gjithsesi, sipas Yellen, mund të nevojiten disa rregullime.
Shefja e Bankës Qendrore Amerikane i bëri këto komente në konferencën vjetore që organizohet nga Rezerva Federale në Jackson Hole.
Megjithëse fjalimi u ndoq nga afër nga tregjet financiare, Yellen nuk dha detaje mbi të ardhmen e politikave monetare, duke u fokusuar më tepër në historinë e krizës financiare dhe në atë që rregullatorët kanë bërë në përgjigje të kësaj krize.
Yellen paralajmëroi se, krizat në të ardhmen janë të pashmangshme, por shtoi se kriza e tregut imobiliar në SHBA dha mësime të vlefshme.
“Kriza kërkonte veprim të menjëhershëm, reformat e nevojshme u ndërmorën dhe këto reforma e bënë sistemin financiar më të sigurt”, deklaroi Yellen.
Më tej, shefja e FED hodhi poshtë argumentet se, rregullat e reja kanë ngrirë aktivitetin bankar, duke këmbëngulur se kërkesat më të larta të kapitalit, mbështetën rritjen e kredisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.