“Sistemi financiar global, kryesisht i qëndrueshëm” – FMN: Rreziqet e stabilitetit financiar janë rritur në shumë dimensione

Sistemi financiar global mbetet kryesisht i qëndrueshëm, por ende përballet me sfida të shumta që mund të shkaktojnë fragmentim në sistemin e pagesave dhe rezervat ndërkombëtare, sipas një zyrtari të FMN-së. Rreziqet e stabilitetit financiar janë rritur në shumë dimensione, megjithëse asnjë ngjarje sistemike globale që prek institucionet financiare ose tregjet nuk është materializuar deri më tani, deklaroi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Raportin e tij të Stabilitetit Financiar Global.
Tobias Adrian, këshilltar financiar dhe drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale të FMN-së, tha se sistemi financiar global i është përgjigjur pozitivisht dy sfidave të mëdha në mes të shtrëngimit të politikës monetare në disa vende të mëdha dhe konfliktit ruso-ukrainas, por rreziqet ende mbeten.
“Është gjithashtu një test stresi këtë vit me dy ngjarje të mëdha. E para është shtrëngimi i politikës monetare në një shumicë dërrmuese të vendeve në botë. Së dyti, lufta në Ukrainë. Sigurisht që ishte një goditje e madhe për sistemin. Aktualisht, ka problem shqetësuese, si niveli i lartë i borxhit në shumë vende. Gjithsesi, deri tani situata është e mirë”, tha Adrian.
FMN theksoi gjithashtu në raport se sanksionet financiare të vendosura kundër Rusisë kërcënojnë të zbehin gradualisht dominimin e dollarit amerikan. Adrian tha se sanksionet kundër Rusisë mund të rezultojnë në një sistem pagesash më të fragmentuar global dhe mjete të rezervës ndërkombëtare, por efekti nuk është aq i afërt për momentin.
“Mund të ketë fragmentim në të gjithë botën. Dhe ju e dini se çfarë kemi për momentin është një sistem pagese që qarkullon shumë rreth dollarit amerikan. Ai funksionon globalisht dhe çdo vend është pjesë e tij, por me sanksionet, sigurisht. Rusia, e cila është një treg mjaft i madh në zhvillim, është hequr nga ky sistem global pagese dhe ekziston rreziku që edhe vendet e tjera të formojnë lloje të reja të sistemeve të pagesave. Ekziston gjithashtu rreziku i fragmentimit në aktivet rezervë. Për momentin, dollari amerikan është valuta kryesore, por ajo mund të zvogëlohet me kalimin e kohës me monedhat e tjera”, tha Adrian.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.