Sistemi i faturave elektronike (fiskalizimi) kushton 2.2 miliardë lekë! Por sa para arkëton buxheti
Projekti i fiskalizimit që parashikohet të nisë vitin e ardhshëm do të kushtojë 2 miliardë e 238 milionë lekë. Kjo parashikohet në projektligjin që ndodhet në Kuvend.
Në relacion evidentohet se nga ana tjetër, ky projekt synon të sjellë efekte pozitive në financat publike.
“Vlerësohet që nga implementimi i plotë i projektit të fiskalizimit, të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme të rriten me rreth 20-30%, krahasuar me TVSH-në që arkëtohet aktualisht.Në terma sasiorë, të ardhurat nga TVSH-ja pritet të rriten 10 miliardë lekë ose me rreth +0,5 deri +0,6% të PBB-së” shkruhet në relacion.
Objektivi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është që, në terma afatmesëm 3-4 vjeçarë të implementimit të projektit të fiskalizimit, të ardhurat nga TVSH-ja të arrijnë mbi 9,2% e PBB-së.
Projektligji i propozuar ka për synim krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale (gjenerata e re e kasave fiskale).
Reforma e fiskalizimit është një angazhim madhor i qeverisë, në përpjekjen e saj për të minimizuar ekonominë informale, nëpërmjet modernizimit të sistemit të monitorimit të taksave.
Ky projektligj synon:
– Minimizimin (uljen) e nivelit të ekonomisë informale;
– Përmirësimin e mbledhjeve të të ardhurave;
-Identifikimin më lehtë të evazionit;
-Bërjen e auditimit të taksave më cost-eficent;
-Uljen e nivelit të korrupsionit në administratë;
– Ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin;
-Pozicionimin e Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Evropian.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është të luftojë evazionin fiskal nëpërmjet një legjislacioni të mirërregulluar, pajisjeve teknologjike dhe informacionit të përfituar në kohë reale për çdo transaksion të kryer në vend.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.