Sistemi i monitorimit të faturimit – PD: Tenderi 15 mln euro korruptiv, rrit kostot për biznesin
Projekti për monitorimin e bizneseve nuk duhet të realizohet sipas PD, pasi do të cenojë konkurrencën e lirë, do të vrasë vendet e punës dhe do të çojë drejt falimentimit mijëra biznese. Në një dalje për mediat deputetja Jorida Tabaku e ka cilësuar si korruptiv tenderin e fituar nga kompania kroate prej 15 milionë euro, e cila do të vendosë monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin.
“Tenderi prej 15 milionë eurosh që iu dhurua një kompanie kroate në kushte tërësisht të mistershme, është provë se korrupsioni në qeverinë Rama ka rrënjë të thella. Tek ky tender korruptiv, që vendos monopolin e kontrollit të faturimeve të biznesit, qytetarët po shohin kalbëzimin e qeverisë së Edi Ramës.
Gjatë qeverisjes së Edi Ramës shqiptarët kanë paguar 3.7 miliardë euro taksa shtesë nga rritja e tyre, pa marrë asgjë mbrapsht, as spitale më të mira, as rrugë më të mira, as arsim më të mirë, as vende pune më shumë, as investime më shumë.”
Por për deputetin demokrat Endri Hasa kostoja prej 15 milionë eurosh nuk është fatura e vetme që do të paguajnë shqiptarët nga tenderi . Sipas PD-së kostot e sistemit të ri për menaxhimin dhe kontrollin e faturimit do t’u kushtojnë shqiptarëve të paktën dhe 80 deri në 100 milionë euro të tjera.
“Monopoli që vulosi qeveria, me një faturë skandaloze për bizneset, 80-100 milionë euro, detyron çdo biznes që të heqë kasat dhe sistemet elektronike që ka sot, për të blerë pajisje te reja fiskale, që do të punojnë sipas kërkesave që do të përcaktojnë kroatëve, kur të ndërtojnë sistemin e ri.
Monopoli korruptiv i Edi Ramës do të hedhë në kosh 140 mijë kasat fiskale ekzistuese dhe çdo biznes do të detyrohet të paguajë të paktën 600 deri në 1000 euro për sistemin e ri që do të kërkojnë kroatët e Edi Ramës, në mënyrë që biznesi të mos i mbyllet.”
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.