Situata e Emergjencës me Zjarret- TAP ofron ndihmë, dhuron 600 fikës zjarri shpine

Situata e rënduar me zjarret në të gjithë vendin kanë detyruar autoritetet shqiptare të kërkojnë ndihmën e të gjithë strukturave të huaja, por edhe të kompanive ndërkombëtare që operojnë brenda vendit.
Kështu, kësaj ftese për të ofruar ndihmë në përballimin e emergjencë i është përgjigjur edhe Gazsjellësi Trans Adriatik.
Në një komunikatë për shtyp, kompania shprehet se po ndjek me shqetësim përfshirjen nga zjarret të qindra hektarëve pyje dhe kullota në të gjithë vendin. Për këtë arsyer TAP ka organizuar takime me institucionet shqiptare për të kuptuar nevojat që kanë ato për të luftuar flakët.
“TAP ka vendosur që të ofrojë 600 fikës zjarri shpine, me kapacitet deri në 25 litra ujë, për t’u përdorur në terren. Gjithashtu me prioritet do të ofrohen edhe 100 uniforma zjarr-duruese për personelin zjarrfikës.
Në vazhdim, TAP do të ofrojë makina zjarrfikëse dhe ambulanca me kalueshmëri të lartë që mund të ndërhyjnë edhe në terrene të vështira. Nëpërmjet këtyre mjeteve lehtësohen përpjekjet për të vënë zjarret nën kontroll si edhe i ofrohet ndihmë mjekësore personave pranë zjarreve”.
Në kuadër të asaj që quhet përgjegjësia sociale e korporatës, TAP ka ofruar ndihmë edhe dimrin e kaluar, ku ngricat dhe dëbora izoloi shumë fshatra. Në këtë kohë, TAP shpërndau pako me ushqime dhe batanije për rreth 1300 familje.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.