Situata e kalueshmërisë në akset rrugore të vendit – MM: I bllokuar vetëm aksi Peshkopi – Lurë
Situata nga moti i keq me shi dhe reshje bore që ka përfshirë vendin ditën e sotme paraqitet nën kontroll sipas Ministrisë së Mbrojtjes.
Vetëm aksi rrugor Peshkopi – Lurë është bllokuar dhe sipas njoftimit të MM, nga të dhënat e marra nga Qendra Kombëtare Operacional si dhe prefekturat dhe qarkullimi bëhet nga aksi Lurë-Rrëshen pa probleme. Ndërkohë, akset e tjera të vendit janë të kalueshme me zinxhirë.
Reshjet e borës në qarkun e Shkodrës janë me intensitet të ulët në zonat urbane, ndërsa paraqiten me intensitet të larë në ato rurale, ndërsa në Qarkun e Dibrës reshjet e borës në zonat malore janë me intensitet të lartë.
Akset rrugore paraqiten të kalueshme dhe pa probleme në qarkun e Kukësit. Sa i takon Qarkut të Elbasanit, Korçës, Vlorës, Gjirokastrës dhe Qarkut të Beratit, nuk ka reshje bore dhe akset rrugore janë të qarkullueshme normalisht.
Ndërkohë, sipas Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe kompanitë e mirëmbajtjes janë në terren. Sipas tij, vijon monitorimi nga afër për situatën e kalueshmërisë në aksin rrugor Milot- Morinë.
“12 borëpastruese janë përqendruar përpara tunelit të Thirrës dhe 10 të tjera në segmentin pas tunelit. Rruga është e kalueshme ndërsa mjetet janë gati për të ndërhyrë në çdo situatë të krijuar.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.