Situata e zjarreve 24 orët e fundit – Shuhet vetëm 1 vatër, 7 të tjera mbeten aktive

Emergjencat Civile kanë raportuar mbi gjendjen e zjarreve në të gjithë territorin e vendit në 24 orët orët e fundit, ku janë shënuar 8 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Dibër, Durrës, Fier, Vlorë, Gjirokastër.
Në qarkun e Tiranës vazhdon prej ditësh të jetë aktiv zjarri në Malin e Derjes pranë fshatit Shëngjergj. Çdo ditë flakët vijojnë të përparojnë, ndërsa forcat e angazhuara për fikjen justifikojnë gjendjen me terrenin e thyer dhe intensitetin e lartë të flakëve.
Po në këtë qark mbetet aktiv edhe zjarri në fshatin Kuç të Vorës, ku fillimi i operacioneve me helikopter në mëngjes pritet të sjellë edhe shuarjen e plotë të tij.
Mbështetja e dy avionëve të ardhur në ndihmë nga Greqia duket të jetë e përqendruar në Bashkinë e Dropullit, ku tre vatra zjarri në fshatrat Frashtan, Lugar dhe Bularat rrezikojnë sipërfaqe të mëdha pyjore, por edhe banesat pranë.
Rrezikon banesat e fshatit edhe një vatër e fuqishme zjarri e rënë në fshatin Bllatë, Maqellarë në Bashkinë e Dibrës. Për shuarjen e këtij zjarri janë angazhuar edhe forca të shumta të ushtrisë.
Në fshatin Cudhi të Krujës ka rënë zjarr i cili rrezikon Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës. Zjarrfikësit, bashkë me forca të pyjores, banorë të zonës dhe forca të bashkisë janë në vendngjarje për të mbajtur zjarrin nën kontroll.
Ndërkohë në Bashkinë Finiq vijojnë të mbeten aktive disa vatra zjarri, më e rrezikshmja prej tyre në fshatin Dhrovjan. Pritet ndërhyrja me helikopter për të shuar flakët.
Sakaq, i vetmi zjarr i shuar me sukses në këto 24 orët e fundit ka qenë ai në fshatin Çorrush të Mallakastrës, ku forca zjarrë fikëse nga 3 bashki dhe forcat ushtarake kanë arritur të mposhtin zjarrin, pasi kishte djegur një sipërfaqe të madhe me shkurre dhe pisha, 3 banesa të pabanuara dhe rreth 4000 rrënjë ulliri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.