Situata e zjarreve, Emergjencat Civile: 8 vatra në 24 orët e fundit – Vijon operacioni në Theth

Edhe ditën e djeshme zjarret kanë pushtuar 6 qarqe të vendit me 8 vatra aktive. Situata më problematike duket se ka qenë ajo në fshatin Theth, ku zjarri ka rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha. Ndërhyrja ditën e djeshme ka qenë e pamundur për shkak të tërrenit malor, ndërsa helikopteri i nisur sot në mëngjes pritet të shuajë vatrat.
Në qarkun e Korçës zjarre kanë rë në dy zona, konkretisht në vendin e quajtur “Përroi i Qershisë” mes njësive administrative Lekas dhe Voskopojë, si edhe në fshatin Gërmenj të Kolonjës. Forcat zjarrfikëse përkatëse kanë ndërhyrë duke punuar deri orët e vona të natës, por pa mundur të shuajnë flakët. Operacionet për shuarjen e këtyre vatrave do të vijojnë edhe sot.
Zjarri i rënë pranë pyllit me pisha në vendin e quajtur “Grykë Orosh” në fshatin Orosh, bashkia Mirditë, vazhdoi edhe ditën e djeshme, ndërsa në ndihmë kanë ardhur edhe 20 forca ushtarake. Zjarri është mundur të mbahet nën kontroll dhe nuk ka prekur pyllin me pisha dhe banesat, por duke djegur një sipërfaqe të madhe me ferra e shkurre si edhe 3 pisha.
Edhe në aksin rrugor Fier-Vlorë në afërsi të NJA Levan ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Në vendngjarje kanë shkuar forca të MZSH Fier dhe MZSH Patos, 30 forca ushtarake dhe punonjës të bashkisë Fier. Pas një pune disa orëshe zjarri është shuar plotësisht.
Në Patos, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre në lagjen “Ofiçinë”, duke rrezikuar disa depozita karburanti. Shërbimi i MZSH Patos ka shkuar në vendngjarje dhe për një kohë të shkurtër ka mundur të shuajë zjarrin.
Dje është riaktivizuar vatra e zjarrit në Liqenin e Zi të bashkisë Bulqizë. Shërbimi i MZSH Bulqizë, forca të pyjores dhe banorë të zonës kanë shkuar në vendngjarje por për shkak të terrenit të thyer malor nuk kanë mundur të shuajnë zjarrin.
Ndërkohë, zjarri ka rënë edhe mes fshatrave Gumenicë dhe Lapardha, por për shkak të largësisë forcat zjarrfikëse janë vonuar, duke detyruar banorët e zonës të ndërhyjnë vetë. Si pasojë e zjarrit janë djegur 2 magazina me rreth 500 balla jonxhe dhe rreth 500 rrënjë ulliri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.