Situata me pandeminë globale – SHBA, rekord viktimash në 24 orë, Italia në stabilizim gradual
Pas të dhënave rekord ditën e Premte nga Franca, me rreth 1300 vdekje në vetëm 24 orë, një tjetër e dhënë negative vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat vendosin një rekord të ri, me plot 1480 viktima si pasojë e Covid-19 në 24 orët e fundit. Në SHBA, infektimet totale janë rritur me rreth 12 mijë në 24 orë, tregojnë të dhënat zyrtare nga John Hopkins University.
Në total, viktimat në të gjithë vendin si pasojë e pandemisë globale kanë kaluar mbi 7 mijë. Të dhëna rekord vijon të raportojë edhe Spanja si dhe Britania e Madhe, ku viktimat janë rritur me hapa drastik gjatë orëve të fundit. Në Itali ndërkohë, vendin që u kthye një muaj më parë në qendrën e shpërthimit epidemik në Europë, e pak më vonë në të gjithë botën, situata duket se po shkon drejt stabilizimit, paçka se numri i viktimave vijon të mbetet mjaft i lartë, me rreth 700 vetëm ditën e premte.
Numri i infektimeve të reja në Itali po bie ndjeshëm, dhe është larg niveleve të disa ditëve më parë, ndërkohë që të dhënat më pozitive vijnë nga rajoni i Lombardisë, ku numri i shtrimeve po bie ndërkohë që po rritet niveli i shërimeve.
Roel Korkuti/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.