Situata nga reshjet – Veliaj: Më e keqja për Tiranën kaloi, investimet kaluan provën

Më shumë se 1200 punonjës të ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës, Policisë Bashkiake, Shërbimit Zjarrfikës dhe shërbimeve sociale, kanë punuar gjatë gjithë kohës për përballimin e situatës së rënduar nga shirat e dendur që kanë përfshirë gjithë territorin e vendit.
Situatën e ndoqi në terren edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi zonat periferike ku situata është paraqitur më problematike.
Por, ndërsa situata për shkak edhe të mirëmenaxhimit dhe investimeve është paraqitur e normalizuar në zonën urbane, Veliaj bëri të ditur se vështirësi janë konstatuar në zonat periferike dhe sidomos në zonën rurale.
“Fatmirësisht Tirana nuk ka pasur problematikat e viteve të kaluara; sigurisht, ky është një shpërblim për punën që u bë gjatë verës me investime. Lumi i Tiranës ka qenë pika më nevralgjike dhe më problematike, por jo vetëm që nuk doli nga shtrati, por i gjithë debati pse duhej bërë ky investim në Lumin e Tiranës dhe pse duheshin zhvendosur disa nga komunitetet nga Bregu i Lumit, besoj e mori përgjigjen. Arsyeja pse duheshin zhvendosur ato komunitete është që lumi të kufizohej, të mos përmbyste gjithë Tiranën, ndaj besoj e kaluam me sukses atë provë”, tha Veliaj.
Ai theksoi se e njëjta situatë është paraqitur edhe në Lumin e Lanës, ku pastrimi i kryer gjatë verës bëri që edhe aty të shmangen përmbytjet. “E njëjta gjë vlen edhe për Lanën. Punuam verës për të pastruar Lanën, që kur të vinte vjeshta dhe dimri të na gjente me një Lanë që për herë të parë në këtë nivel reshjesh nuk doli nga shtrati. Kështu që, do të vazhdojmë periodikisht me pastrimin e Lanës, le të themi që janë tre damarët kryesorë të ujit në Tiranë, Lumi i Tiranës, Erzeni dhe Lana që shkon mes përmes Tiranës.
“Kemi disa problematika ende sidomos në zona periferike, siç është kjo zonë në Kombinat, Rr. “Shaban Bardhoshi”. Siç e shikoni, në shumë prej këtyre kanaleve kullues të improvizuar banorët kanë ndërtuar m’u rrëzë tyre. Duhet të kuptojmë një gjë: siç sillemi me natyrën, ashtu edhe natyra sillet me ne. Siç e shikoni, jo vetëm që është ndërtuar në rrëzë, në mënyrë informale, por pjesa më e madhe e pastrimit që ndodh në kanale ka të bëjë me qese plastike, shishe plastike, me gota, tasa, kolltukë, divane: kjo nuk shkon!”, theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Sa i përket zonave rurale ai evidentoi situatën që paraqitet në disa zona të Pezës dhe Zall-Bastarit. “Kemi disa problematika në disa fshatra, sidomos në zonën e Pezës, disa ura që lidhin kodrat prej shtufi kanë pasur shembje. Kemi vendosur sinjalistikë, u kërkojmë banorëve të shmangin udhëtimet në këto zona rurale dhe në disa fshatra të thella të Zall-Bastarit”,
Një nga çështjet për të cilat mbetet sfidë për Bashkinë e Tiranës në orët në vazhdim është ajo që ka të bëjë me furnizimin me ujë.
Disa nga nënstacionet që pompojnë ujë, përveç stacioneve elektrike, janë jashtë funksionit, sidomos ai i Laknasit, Bërxullit, në zonën e Kasharit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.