S`ka krizë për Gjermaninë – Politika nuk “prek” ekonominë, morali i biznesit në “majë”

Morali i biznesit gjerman ka prekur një tjetër nivel rekord gjatë muajit nëntor, tregojnë të dhënat e fundit, duke sinjalizuar një bum të ekonomisë më të madhe të Europës. Të dhënat hedhin kështu poshtë të gjitha shqetësimet se kriza politike në të cilën është zhytur vendi do të ketë impakt edhe në ekonominë gjermane.
Ekonomia gjermane është në rrugën e duhur për një bum, thotë raporti i fundit i Ifo. Të dhënat sinjalizojnë kështu një rritje të ekonomisë gjermane me plot 0.7% vetëm gjatë tremujorit të fundit të vitit, pas një rritje prej 0.8% gjatë tremujorit të tretë.
Indeksi i klimës së biznesit ndërkohë u rrit në 117.5 pikë, duke thyer të gjitha pritshmëritë. Edhe indeksi që mat pritshmëritë e biznesit u rrit ndjeshëm në 111 pikë, nga 109.2 pikë të muajit paraardhës.
Gjatë javës ndërkohë,të tjera të dhëna treguan një rritje të eksporteve dhe të investimeve të biznesit, që rezultuan edhe nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike. Të gjitha të dhënat sinjalizojnë se trendi do të vazhdojë edhe përgjatë vitit të ardhshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.