Skadon përjashtimi nga tarifat – SHBA pritet të “penalizojë” importet e çelikut dhe aluminit nga Europa
Uashingtoni pritet të lajmërojë planet për të vendosur tarifa në importet e çelikut dhe aluminit nga Europa, ndërsa sekretari i Tregtisë tha se përkeqësimi i përplasjes tregtare do të varet nga reagimi i Bashkimit Europian.
Sipas burimeve për Reuters, vendimi mund të vijë më datë 1 Qershor, kur skadon edhe përjashtimi i bllokut nga tarifat e planifikuara. Sekretari i Tregtisë, Wilbur Ross, pa konfirmuar në mënyrë direkte se SHBA do të vendosë tarifat, tha se i takon Bashkimit Europian që të vendosë nëse do të kundërpërgjigjet.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të reagojnë në të njëjtën mënyrë që bënë me Kinën, kur kërcënoi se do të kundërpërgjigjet. Ministri i Financave në Francë, Bruno Le Maire, tha se Bashkimi Europian nuk synon luftë tregtare, por që do të kundërpërgjigjet nëse Washingtoni vendos tarifat.
Trump po përpiqet të mbrojë prodhuesit e çelikut dhe aluminit në SHBA me motive të sigurisë kombëtare, ndërkohë që e gjithë bota ndodhet në mbikapacitet për të dy metalet, kryesisht prej Kinës.
Komisioni Europian që koordinon politikat tregtare për 28 vendet anëtare, ka bërë të ditur se blloku duhet të përjashtohet në mënyrë të përhershme nga tarifat, ndërkohë që nuk është shkaku i mbikapacitetit për metalet.
Tarifat synojnë që industritë amerikane të rrisin normën e shfrytëzimit të kapacitetit në mbi 80%, për të parën herë ndër vite.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.