Skandali dëmton “Made in Japan” – Kompanitë kanë falsifikuar të dhënat mbi cilësinë e produkteve
Disa prej prodhuesve më të mëdhenj në Japoni janë “zhytur” në skandalin e kontrollit të cilësisë, që kanë dëmtuar jo vetëm reputacionin e produkteve japoneze, por kanë shkaktuar shqetësime edhe në mesin e publikut.
Prodhuesi i tretë më i madh i çelikut në vend, Kobe Steel, pranoi se ka falsifikuar të dhënat mbi kontrollin e cilësisë për produktet që janë dorëzuar në rreth 500 kompani në mbarë botën. Gjithashtu, edhe për korporatat Mitsubishi Materials dhe Toray Industries, u zbulua se kanë falsifikuar të dhënat për filialet e tyre.
Mitsubishi pranoi më 23 nëntor se, 3 filialet e saj kanë falsifikuar të dhënat e cilësisë së produkteve të saj, që përdoren në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë industrinë e automjeteve dhe industrinë ajrore. Pesë ditë më vonë, në 28 nëntor, zbuloi 149 raste të falsifikimit të të dhënave të cilësisë për materialet e saj, për një periudhë 8-vjeçare. Këto skandale kanë ngjallur shqetësime edhe mes popullit japonez, përsa i përket të ardhmes së produkteve, që deri më tani vlerësoheshin si ndër më cilësore në botë.
Gjithashtu, edhe media japoneze është shprehur shumë ashpër ndaj këtyre skandaleve që po dëmtojnë reputacionin, jo vetëm të produkteve japoneze, por edhe lavdinë e këtij vendi. Pas këtij skandali, tek populli japonez ekziston një shqetësim i madh për reputacionin e produkteve “Made in Japan”, ndërsa mediat po përpiqen të zbulojnë rrënjët e problemit.
Në anën tjetër, kompanitë kanë bërë shumë pak për të parandaluar përsëritjen e problemit, përveçse janë përkulur për të kërkuar falje.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.