Skaneri i filantropisë – Të dhënat tregojnë se filantropia është në vlera modeste, spontane dhe jostrategjike

Ersuin Shehu
“Sipas raportit të monitorimit, publikuar nga “Partnerët-Shqipëri”, për vitin 2016 vlera totale e dhurimit ishte rreth 186 milionë lekë ose afërsisht rreth 1.4 milionë euro. Pavarësisht se kjo ndoshta nuk përbën të gjithë shumë e dhurimit filantropik në vend, ajo është padyshim tejet modeste.”
“Shumica e ndërmarrjeve me kapital shqiptar kanë si arsye kryesore për kryerjen e aktivitetit filantropik vullnetin personal të pronarit, ndërkohë që ndërmarrjet me kapital të huaj theksojnë si arsye kryesore përputhjen e aktivitetit filantropik me strategjinë e biznesit. Ndërmarrjet me kapital shqiptar kryejnë kryesisht aktivitet filantropik duke dhënë ndihmë ekonomike për zbutjen e varfërisë , ndërsa ndërmarrjet me kapital të huaj kryejnë aktivitet filantropik kryesisht në fushën e arsimit dhe mjedisit.”
Dy vjet më parë, pronari i Facebook, Mark Zuckerberg, u bë sipërmarrësi i radhës që çuditi opinionin publik, kur deklaroi se do të shpenzonte 99% të pasurisë së tij për filantropi. Mes emrave të mëdhenj të biznesit global, Zuckerberg nuk ishte i pari. Para tij, diçka të ngjashme pati bërë Bill Gates, përmes fondacionit që mban emrin e tij dhe të bashkëshortes, Melinda Gates. Filantropia, në fakt, është kthyer në një tendencë mes multimiliarderëve. Sa është bërë Shqipëria pjesë e kësaj tendence globale dhe sa është biznesi shqiptar i prirur drejt filantropisë? Përgjigja e kësaj pyetjeje nuk është e thjeshtë. Informacioni rreth filtantropisë është i fragmentuar dhe i vështirë për t’u mbledhur. Një nga arsyet është se filantropia në vetveve nuk deklarohet si një zë i veçantë në bilancet e bizneseve, duke qenë se ajo nuk njihet si shpenzim i zbritshëm. Përgjithësisht, dhurimi filantropik përfshihet te shpenzimet e sponsorizimeve. Në vitet e fundit, organizata “Partnerët-Shqipëri” është përpjekur të japë një tablo të veprimtarisë filantropike në Shqipëri, përmes monitorimit të medias dhe përmes anketimeve me bizneset. Mbështetur në këto teknika, “Partnerët-Shqipëri” publikon edhe raporte që synojnë të hedhin dritë mbi filantropinë në Shqipëri.
Dhurimi në 2016, vetëm 1.4 milionë euro
Sipas raportit të monitorimit, publikuar nga “Partnerët-Shqipëri”, për vitin 2016 vlera totale e dhurimit ishte rreth 186 milionë lekë ose afërsisht rreth 1.4 milionë euro. Pavarësisht se kjo ndoshta nuk përbën të gjithë shumën e dhurimit filnatropik në vend, ajo është padyshim tejet modeste. Jo vetëm kaq, por dhurimi është në rënie të ndjeshme krahasuar me vitin 2015. Sipas monitorimit, në vitin 2015, shuma totale e dhuruar kishte qenë 586 milionë lekë, tre herë më i lartë se në vitin 2016. Gjithsej, kanë rezultuar 279 raste dhurimi. Natyra e dhurimeve dominohet nga dhurimi monetar, me 82% të vlerës totale, i ndjekur nga shërbimet me 12% dhe mallrat ose produktet me 6%. Raporti konstaton se afro 60% e shumës totale është dhuruar nga individët, ndërsa pjesa e mbetur ndahet në mënyrë pothuajse të barabartë mes bizneseve dhe organizatave jofitimprurëse. Mbi 90% e dhurimeve totale kanë shkuar në formë ndihme ekonomike, për zbutjen e varfërisë.
83% e bizneseve kryejnë filantropi
Këtë vit, “Partnerët-Shqipëri” publikoi raportin e dytë mbi aktivitetin filantropik të biznesit në Shqipëri. Studimi u mbështet në anketimin e drejtpërdrejtë të një kampioni prej 130 ndërmarrjesh të sektorëve dhe përmasave të ndryshme. Studimi targetoi kryesisht ndërmarrjet me qarkullim vjetor të lartë, duke qenë se ato kanë potenciale më të mëdha për t’u angazhuar në aktivitet filantropik. Nga anketimi rezultoi se rreth 83% e ndërmarrjeve zhvillojnë aktivitet filantropik. Në fakt, studimi saktëson se aktiviteti i ndërmarrjeve ka më shumë karakteristika të bamirësisë, sesa të filantropisë së mirëfilltë. Nga pikëpamja e terminologjisë, bamirësia përkufizohet si një akt vullnetar dhurimi në para, të mira, apo kohë, në ndihmë të njerëzve në nevojë pa qëllime përfitimi. Ndërsa filantropia është angazhim vullnetar, strategjik, me qëllim plotësimin e nevojave njerëzore për një shoqëri më të drejtë dhe paqësore, pa përfitim në këmbim. Pra, filantropia është më shumë sesa dhurim për njerëzit në nevojë, ajo nënkupton një kontribut të mirëfilltë dhe strategjik për një shoqëri më të drejtë. Përtej kuptimit apo intepretimit të drejtë të filantropisë nga biznesi, studimi evidenton se prirja drejt bamirësisë/dhurimit filantropik është më e lartë te bizneset më të mëdha. 86% e ndërmarrjeve me qarkullim vjetor mbi 100 milionë lekë kanë deklaruar se bëjnë dhurim filantropik. Vullneti personal i CEO-s/pronarit rezulton si arsyeja kryesore për kryerjen e aktivitetit filantropik nga 49% e ndërmarrjeve, e ndjekur nga mbështetja e grupeve shoqërore në nevojë, e zgjedhur si arsyeja kryesore nga 31% e ndërmarrjeve. Vërehet se arsyet që lidhen me interesat e biznesit (përmirësimi i imazhit të biznesit, përputhja me strategjinë e biznesit, tradita e kompanisë) janë më pak të zgjedhura si arsye kryesore për kryerjen e aktivitetit filantropik. Përfitimi nga lehtësirat fiskale, një ndër arsyet e listuara në pyetësor, nuk është përzgjedhur nga asnjë ndërmarrje si arsye kryesore për kryerjen e aktivitetit filantropik. Rezulton se shumica e ndërmarrjeve me kapital shqiptar kanë si arsye kryesore për kryerjen e aktivitetit filantropik vullnetin personal të pronarit (55%), ndërkohë që ndërmarrjet me kapital të huaj theksojnë si arsye kryesore përputhjen e aktivitetit filantropik me strategjinë e biznesit (50%). Ndërmarrjet me kapital shqiptar kryejnë kryesisht aktivitet filantropik duke dhënë ndihmë ekonomike për zbutjen e varfërisë (53%), ndërsa ndërmarrjet me kapital të huaj kryejnë aktivitet filantropik kryesisht në fushën e arsimit (36%) dhe mjedisit (21.5%). Kjo tregon një qasje më strategjike të biznesit me kapital të huaj, i cili është më i fokusuar në disa fusha specifike dhurimi, kundrejt biznesit me kapital shqiptar. Zbutja e varfërisë nëpërmjet ndihmës ekonomike (49%), rezulton të jetë fusha kryesore e kryerjes së aktivitetit filantropik nga ndërmarrjet, e ndjekur nga arsimi (14%), shëndetësia (12%), arti/kultura (8%).
Fokusi i “Raiffeisen”
Arlinda Budo, specialiste në Departamentin e Marrëdhënieve me Publikun dhe Sponsorizimeve, shprehet se “Raiffeisen Bank“ në Shqipëri mbetet e përkushtuar ndaj përgjegjësisë sociale të korporatës dhe për rrjedhojë, filantropike, duke synuar të kontribuojë në qëndrueshmërinë dhe përmirësimin e kushteve sociale, shëndetësore dhe mjedisore të komunitetit në Shqipëri.
“Ne besojmë se ne jemi në pozitat më të mira të mundshme kur kombinojmë forcën e biznesit tonë me dëshirën për të bërë gjëra të mira për komunitetin. “Raiffeisen Bank” synon të arrijë të japë ndihmën e saj në ato zona apo shtresa që janë më në nevojë. Ne e konsiderojmë veten “qytetar të angazhuar’ që në mënyre aktive jep mbështetjen për të zhvilluar shoqërinë. Kontributi ynë është thelbësor për transformimin e shoqërisë dhe ne kërkojmë që shoqëria civile të jetë aktive për të sjellë mirëqenie sociale. Ne e konsiderojmë veten si promovues të integrimit dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë,” thotë znj.Budo.
Kategoritë ku fokusohen më së shumti sponsorizimet e “Raiffeisen“ janë arsimi, sporti, kultura, mbështetja sociale, shëndetësia. Sipas “Raiffeisen“, këto kategori ndjeshmërinë më të lartë në lidhje me komunitetin dhe që kontribuojnë direkt në rritjen e cilësisë së jetesës. Znj.Budo sjell shembujt më të fundit të përfshirjes së “Raiffeisen Bank“ në projektet me ndikim social. Një traditë është bërë mbështetja e aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit ndaj Autizmit dhe për Ditën Botërore të Sindromës Down.
Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë u ndihmua me blerjen e librave shkollorë nga klasa e parë deri në klasën e 9. Një bashkëpunim i rëndësishëm ishte ai me organizatën “Fundjavë ndryshe”, përmes të cilit u blenë çanta me pajisje shkollore të cilat u shpërndanë në shkollat në zonat rurale, për fëmijët në nevojë. Projektet për mbrojtjen e mjedisit kanë gjetur gjithashtu mbështetjen e “Raiffeisen Bank”. Ne kemi vazhduar të mbështesim projektet për zonat e gjelbërimit, mbjelljen e pemëve, etj. me institucione të ndryshme dhe në disa qytete si Pogradec dhe Durrës, Gramsh. Në fund të vitit 2016, stafi i “Raiffeisen Bank“ u përfshi në iniciativën “ushqim për familjet në nevojë”. I gjithë stafi mori pjesë në këtë iniciativë, duke dhuruar paketa ushqimore, të cilat iu shpërndanë familjeve në nevojë. Janë mbledhur 2 tonë ushqime të ngurta, shumë lodra dhe rroba për fëmijë, të cilat u shpërndanë në 15 familje në varfëri të skajshme. Gjithashtu, disa aktivitete u organizuan në ambientet e bankave për të mbledhur fonde dhe dhurata për fëmijët në nevojë, kryesisht në jetimore,” thotë znj.Budo.
Titull: “Vodafone“, 60 milionë lekë në vit për filantropi
Intervistë me Albi Greva, drejtor ekzekutiv i fondacionit “Vodafone Albania“
“Edukimi, shëndetësia, digjitalizimi, të rinjtë dhe njerëzit me aftësi të kufizuar zënë fokusin kryesor të kontributit të “Vodafone Albania“ në filantropi.”
Fondacioni “Vodafone Albania“ ka mbështetur deri më sot mbi 200 projekte dhe nisma të lidhura me filantropinë dhe përgjegjësinë sociale. Në një intervistë për “Scan Magazine” drejtori ekzekutiv, Albi Greva, shprehet se ky fondacion shpenzon çdo vit rreth 60 milionë lekë për këto projekte. Sipas tij, projektet e mbështetura lidhen kryesisht me shëndetësinë, edukimin, digjitalizimin, si edhe mbështetjen për rininë dhe personat me aftësi të kufizuara.
Çfarë vendi zë filantropia brenda aktivitetit të CSR në “Vodafone“? Sa shpenzoni, afërsisht, në vit për filantropi?
Filantropia ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e pandarë e “Vodafone Albania“. Që prej vitit të parë që operon në tregun shqiptar, “Vodafone Albania“ ka pasur si qëllim të mos e kufizojë rolin e saj vetëm si kompania që zhvillon industrinë e komunikimeve elektronike, por edhe si kompania lider në zbatimin dhe zgjerimin e kulturës së “përgjegjshmërisë sociale të biznesit”, duke i rritur çdo herë e më shumë kontributet e rëndësishme, përmes projekteve të përgjegjshmërisë sociale, ndaj individëve dhe kategorive sociale në nevojë. “Vodafone Albania“ e mbështet strategjinë e saj të përgjegjshmërisë sociale mbi moton: të lidhim njerëzit me njëri- tjetrin, për një jetë më të mirë sot dhe për të ndërtuar një të ardhme edhe më të mirë, nesër. Ndër vite, “Vodafone Albania“ vazhdon t’ i dedikojë projekteve filantropike një total prej afro 60 milionë lekë te reja, çdo vit. Një fond i tillë ka mundësuar zhvillimin e mbi 200 projekteve e iniciativave të ndryshme, me shtrirje në nivel kombëtar apo rajonal, duke shënuar kështu rezultate të matshme e mbresëlënëse për përfituesit. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur pasi ke kontribuar për t’ia ndryshuar jetën një personi apo një komuniteti të tërë, sheh për shembull të shkruar në dërrasë të zezë një falenderim krejt të sinqertë nga nxënësit e një shkolle të rikonstruktuar, e cila rrezikonte më parë të shembej, apo kur merr mesazhe falenderimi nga të verbër që u lehtësohet jeta prej teknologjisë, nga të moshuarit e Bulqizës, të ndihmuar në kohë të këqia, apo dhe nga mjekë që u lehtësohet puna në kurimin e të sëmurëve prej aparaturave që u dhurohen…
Cilat janë prioritetet dhe kriteret në adresimin e kontributit filantropik/përzgjedhjen e fushave apo projekteve për t’u mbështetur?
Projektet duhet të përputhen me strategjinë tonë, me numrin e përfituesve, impaktin social etj. Duhet të jenë padiskutim projekte që mbështesin komunitetet në nevojë, por dhe që shërbejnë për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi rëndësinë e filantropisë, si arti i të mirës nëpërmjet dhurimit.
Cilët sektorë apo grupe interesi janë në fokus të aktivitetit filantropik të “Vodafone Albania“?
Edukimi, shëndetësia, digjitalizimi, të rinjtë dhe njerëzit me aftësi të kufizuar zënë fokusin kryesor të kontributit të “Vodafone Albania“ në filantropi. Nëpërmjet projekteve të shumta të financuara, “Vodafone“ ka mundur të sjellë ndryshim në jetën e shumë komuniteteve në nevojë, duke ndikuar sadopak në mirëqenien e tyre dhe të jetuarit .
Cilat kanë qenë disa nga projektet kryesore të filantropisë që keni ndërmarrë/mbështetur në dy vitet e fundit?
Ndër vite, janë të shumtë në numër përfituesit dhe projektet e ndërmarra apo mbështetura nga “Vodafone“ nëpërmjet fondacionit “Vodafone Albania“. Vetëm në vitin që lamë pas mund të përmendim projekte me vlerë e që patën impakt tek disa komunitete dhe fusha si në shendetësi, edukim dhe në linjën e barazisë gjinore. Ndër shumë kontribute gjatë këtij viti vlen të përmendet dhurimi i një pajisjeje për foshnjat e porsalindura në maternitetin e Tiranës, financimi i fushatës “HeForShe” në stadiume për të ndihmuar në ndryshimin e perceptimit të burrave për barazinë gjinore; rikonstruksioni i shkollës fillore 9-vjeçare në Theth, një shkollë krejtësisht e braktisur pa shpresë për mundësi të fondeve publike; ka përkrahur qytetarët për mbledhjen e fondeve të eventit sportiv: “RunForChildren” për pesë vite me radhë, për të ndihmuar në trajtimin e fëmijëve të diagnostikuar me leuçemi e së fundmi, “Vodafone Albania“ iu bashkua iniciativës “Ju jeni një luledielli” dhe nëpërmjet fondacionit “Vodafone“ i dhuroi Spitalit Pediatrik pajisjet e reja për trajtimin eko-kardiak, projektet e digjitalizimit ne biblioteka, ofrimi i platformës së parë elektronike te leximit digjital falas (Vodafone E-Books) për të gjithë, si dhe këndeve të leximit në shkolla.
Filantropia për “Credins Bank” – Ja objektivat dhe kontributi gjatë vitit të kaluar
Filantropia është një ndër shtyllat e aktivitetit të përgjegjësisë sociale të “Credins Bank”. Banka ka identifikuar 16 objektiva kryesorë të lidhura me filantropinë, për të cilat janë financuar projekte dhe aktivitete që, vetëm për vitin 2016, arrijnë në disa qindra mijëra euro.
OBJEKTIVI #1: Pa varfëri – fund varfërisë në çdo formë dhe kudo, promovimi i agrokulturës dhe mbështetja ndaj fermerëve të vegjël. Eliminimi i varfërisë në të gjitha format kudo!
“Credins Bank”, gjatë vitit 2016, në kuadër të politikave të saj ka mbështetur Dhomën Britanike të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit. Mbështetja financiare prej 5,731,550 lekësh pati si qëllim krijimin e një platforme për inkurajimin e prodhuesve te agrobiznesit duke vendosur si prioritet zhvillimin e biznesit dhe mënyrën se si t’i shtojnë vlerë produktit të tyre në kërkim për tregje të reja. Banka ofroi gjithashtu zgjidhje financiare dhe paketa sigurimi për bizneset pjesëmarrëse.
OBJEKTIVI # 2: Zero uri – Eliminimi i urisë, arritja e sigurisë ushqimore dhe përmirësimit të ushqyerjes dhe nxitja e bujqësisë së qëndrueshme!
“Credins Bank DHURON”, ishte iniciativa e ndërmarrë nga vetë punonjësit e 57 degëve të bankës dhe punonjësit e Drejtorisë Qendrore për t’u organizuar në dhurimin e veshjeve dhe lodrave për fëmijët në nevojë. Kjo iniciativë u shpërnda në shumë institucione, ku mund të përmendim “Qendrën Kombëtare të Emergjencave” dhe institucione te tjera me karakter komunitar. Një tjetër organizim vullnetar nga banka iu bashkua thirrjes së radios “Club FM“ në maratonën live 48 orëshe si dhe “Fundjavës Ndryshe“ në ndihmë të disa familjeve në nevojë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua aktiviteteve në mbështetje të “Fshatit SOS“ dhe sindromës “Down“ duke treguar një përkujdesje dhe një rritje të ndërgjegjësimit ndaj këtij komuniteti.
OBJEKTIVI #3: Shëndet i mirë dhe mirëqenie – Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe nxitja e mirëqenies për të gjithë njerëzit e çdo moshe!
“Credins Bank”, si çdo vit tjetër, luajti një rol të rëndësishëm në iniciativat e ndërmarra në përkrahje të sistemit shëndetësor, ku një kontribut me mjaft vlerë ka qenë partneriteti me disa spitale rajonale të vendit për rritjen e përmirësimit të kushteve spitalore dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor, në mbështetje të iniciativave që nxisin përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore dhe sensibilizimin e popullsisë për një mirëqenie e shëndet të mirë. Gjatë vitit 2016 janë mbështetur me një total prej 8,347,371 lekësh disa spitale dhe qendra shëndetësore në të gjithë vendin. Banka ka bashkëpunuar për organizimin e fushatave sensibilizuese, si me Organizatën Shqiptare të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, në kuadër kjo, të nxitjes dhe përhapjes në Shqipëri të praktikës së dhurimit të gjakut në mënyrë vullnetare.
OBJEKTIVI #4: Arsim Cilësor – Sigurimi i arsimit cilësor gjithëpërfshirës dhe të drejtë dhe nxitja e mundësive për mësim gjatë gjithë jetës për të gjithë!
Kultura dhe arsimi mbeten në fokus të politikave të përgjegjësisë sociale të “Credins Bank” si një kontribut i çmuar në dobi të komunitetit. Kontributi i bankës për vitin 2016 ka qenë 1,509,394 lekë, në kuadër të organizimit të promovimit të disa librave të autorëve të shquar shqiptarë, si dhe ka realizuar organizimin e një konkursi kombëtar në disa universitete.
OBJEKTIVI #5: Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave!
“Credins Bank” beson në rritjen dhe fuqizimin e vlerave të grave. Ky parim është konsideruar thelbësor dhe ka qenë në qendër të politikave të burimeve njerëzore të bankës, referuar shanseve të punësimit e promovimit të grave dhe vajzave. Banka promovon parime biznesi që mundësojnë aplikimin e grave në biznes. Për më tej me politikat e saj të sponsorizimit, banka ka ofruar një kontribut prej 200,000 lekësh për aktivitete sociale dhe kulturore që promovojnë rolin e gruas në shoqëri.
OBJEKTIVI #8: Punë dinjitoze dhe rritje ekonomike: – Nxitja e rritjes ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, punësim të plotë dhe produktiv dhe punë të denjë për të gjithë!
“Credins Bank” ka bashkëpunuar gjatë 2016-ës me institucione të ndryshme qëndrore dhe lokale në Tiranë, Fier, Korçë, në projekte të ndryshme për përmirësimin e kushteve të punës që mundësojnë rritje ekonomike. Totali i këtij kontributi ka qenë 1,141,520 lekë.
OBJEKTIVI #9: Industri, Inovacion dhe Infrastrukturë – investim në infrastrukturë dhe studime shkencore – Ndërtimi i infrastrukturave rezistuese, nxitja e industrializimit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm dhe nxitja e inovacionit!
Gjatë vitit 2016, në përputhje me këtë objektiv, “Credins Bank”, ka investuar dhe zhvilluar politika për mbështetjen me financim të projekteve të qëndrueshme në fushën e industrisë dhe inovacionit. Për më tej, në kuadër të përgjegjësisë sociale, banka ka kontribuar me financim institucione si bashki, qendra shëndetësore dhe shoqata me një total prej 5,148,830 lekësh duke mundësuar pajisje, sisteme e programe kompjuterike dhe sinjalistika në përmirësimin e infrastrukturës së këtyre institucioneve.
OBJEKTIVI #11: Qytete dhe komunitete të qëndrueshme – Kthimi i qyteteve dhe vendbanimeve gjithëpërfshirës, të parrezikshëm, elastikë dhe të qëndrueshëm!
“Credins Bank” është një aktor i rëndësishëm në kontributin e saj për të pasur një komunitet aktiv dhe qytete me zhvillim të qëndrueshëm që ofrojnë hapësira gjithëpërfshirëse dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve. Për këtë arsye gjatë vitit 2016 janë mbështetur institucione dhe organizata duke përfshirë këtu 4 bashki dhe investime në aktivitete kulturore duke ndihmuar në konsolidimin e një shoqërie të qëndrueshme. Totali i kontributit të bankës me qëllim përmbushjen e këtij objektivi për të gjitha projektet së bashku është 3,060,000 lekë.
OBJEKTIVI #15: Mbrojtja, restaurimi dhe nxitja e përdorimit të qëndrueshëm të ekosistemeve tokësore, administrimi i qëndrueshëm i pyjeve, lufta kundër kthimit të hapësirave në shkretëtirë dhe ndalimi dhe kthimi pas i procesit të degradimit të tokës dhe ndalimi i humbjes së biodiversitetit.
“Credins Bank” në kuadër të përmirësimit të urbanistikës dhe në mbështetje të komunitetit për zhvillimin e parqeve dhe gjelbërimit, ka luajtur një rol kyç në mbështetjen prej 500,000 lekësh të Bashkisë së Tiranës, për mbjelljen e 1000 rrënjëve oleandra.
OBJEKTIVI # 16: Nxitja e shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, ofrimi i mundësisë për drejtësi për të gjithë dhe ngritja e institucioneve të efektshme, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet.
Gjatë vitit 2016, fusha e sportit dhe artit kanë zënë një pjesë të rëndësishme të politikave mbështetëse të bankës, të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e infrastrukturës për klube sportive dhe zhvillimin aktiviteteve të artit si një domosdoshmëri për të patur institucione sa më të efektshme. Në këta dy sektorë, banka ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur me financim prej 3,603,448 lekësh.
Ligjet fiskale nuk e njohin filantropinë – Intervistë me Juliana Hoxha, drejtore ekzekutive e “Partnerët – Shqipëri”
Bankat dhe telekomunikacionet janë sektorët e biznesit më të përkushtuar ndaj filantropisë. Organizata “Partnerët-Shqipëri” prej pesë vjetësh kryen një monitorim të aktivitetit filantropik në Shqipëri. Nga ky monitorim rezulton se kompanitë e sektorëve strategjikë të ekonomisë bëjnë më shumë për nevojat e komunitetit. Juliana Hoxha, drejtore e “Partnerët-Shqipëri”, thotë se aktiviteti filantropik adresohet kryesisht tek nevojat e fëmijëve dhe të shtresave më të varfra të popullsisë. Sipas saj, ka diferenca të mëdha në aktivitetin filantropik mes bizneseve shqiptare dhe atyre të huaja. Kompanitë e huaja janë më të organizuara dhe filantropia është një element që kryesisht përfshihet në kuadrin e misionit të përgjegjësisë sociale të koorporatës. Tek bizneset shqiptare fokusi te përgjegjësia sociale është më i dobët. Më gjerësisht, ndryshe nga tendenca aktuale botërore, ajo që mungon në Shqipëri, është filantropia e zhvillimit. Filantropia në Shqipëri nuk lehtësohet shumë as nga kuadri ligjor dhe rregullimi tatimor. Biznesi nuk ka incentiva specifike për sa i takon filantropisë. Zakonisht, këto shpenzime përfshihen te sponsorizimet, pikërisht për shkak se nuk njihen specifikisht si shpenzim për efekt të llogaritjes së tatimit mbi të ardhurat. “Partnerët Shqipëri” konstaton gjithashtu se, shpeshherë, institucionet shtetërore dëmtojnë nismën filantropike, duke marrë vetë meritat për investime që kryhen nga biznesi apo, në rastin më të mirë, me bashkëfinancim. Mospasja e një transparence publike shpeshherë i zhgënjen bizneset dhe i dekurajon për të shpenzuar në veprimtari filantropike.
Si e monitoroni aktivitetin filantropik në vend?
Ne kemi filluar para gjashtë vitesh, me një raport të parë, që vendosi pikën e parë të monitorimit, për të parë si evoluon aktiviteti filantropik vit pas viti. Ne bëjmë monitorim të përditshëm të aktivitetit filantropik në vend. Matja e dhurimit filantropik në Shqipëri është vështirë, sepse ky dhurim nuk deklarohet. Për sa kohë nuk ka një deklarim zyrtar në bilancet vjetore, është shumë e vështirë për të nxjerrë shifra të sakta rreth vlerës së dhurimit filantropik. Edhe si pjesë e një nisme të gjerë në Ballkan, ne aplikojmë një metodologji që ka në bazën e vet monitorimin e medias. Në bazë të këtij monitorimi të përditshëm që ne bëjmë, për çka pasqyrohet në media apo në institucionet shtetërore, ne ndërtojmë atë që është raporti mujor i dhurimit filantropik. Në dy vitet e fyndit, ky monitorim është pjesë edhe e një raporti ballkanik, ku ne kontribuojmë për Shqipërinë dhe Kosovën.
Nga monitorimi i deritanishëm gjashtëvjeçar, mund të ndërtojmë një tendencë të ecurisë në kohë të dhurimit filantropik në Shqipëri?
Ajo që konfirmohet në kohë është natyra e bizneseve që japin kontributin kryesor në filantropi dhe përfituesit e dhurimit. Bizneset që dhurojnë më shumë janë sistemi bankar dhe telekomunikacionet, që janë ndër industritë me të ardhurat dhe fitimet më të larta në vend. Për sa i takon përfituesve, ka një lloj konsistence. Përfituesit kryesorë janë fëmijët, të ndjekur nga shtresat më të varfëra të popullsisë, si edhe të rinjtë. Për sa i përket natyrës së mbështetjes, është kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me shëndetin dhe edukimin. Këto janë motivimet kryesore për të cilat bizneset dhurojnë. Kjo sigurisht që është për t’u respektuar, por ajo që ende mungon në praktikën e dhurimit koorporativ është filantropia e mirëfilltë e zhvillimit. Filantropia nuk mund të jetë thjesht përgjigje ndaj nevojave të mprehta apo ekstreme të momentit. Sigurisht, ka biznese që punojnë në projekte të filantropisë zhvillimore, por, në përgjithësi, këtë dhurim strategjik ne e shohim të munguar.
Filantropia është sot një tendencë në nivel botëror. A ka në Shqipëri biznese që e kanë të organizuar dhe të mirëstruktuar filantropinë, si pjesë organike të aktivitetit të tyre?
Ka, por do të teproja po të thoja se kjo është një tendencë. Ka disa fondacione të krijuara nga bizneset, por përgjithësisht dhurimi filantropik këtu është shumë i gërshetuar me përgjegjësinë sociale. Sigurisht që janë dy gjëra të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, megjithatë jo gjithmonë janë e njëjta gjë, sepse përgjegjësia sociale jo përherë lidhet me paranë. Bizneset që janë dhuruesit më të mëdhenj në çdo rast, të paktën e kanë një dokument strategjik për përgjegjësinë sociale. Ato biznese që nuk dhurojnë, nuk e kanë të zhvilluar dhe të rregulluar qartë pjesën e përgjegjësisë sociale. Një tipar tjetër është se bizneset e huaja e kanë përgjegjësinë sociale dhe dhurimin korporativ shumë më të zhvilluar, më strategjik, krahasuar me bizneset shqiptare. Këtu ka vend për sensibilizim dhe edukim. Mund të duket pak banale, por bizneset shqiptare duhet të kuptojë se pse konkurrentët e tyre të huaj sjellin me vete praktikën e përgjegjësisë sociale.
Si nxitet nga shoqëria civile dhe nga palët e tjera të interesit aktiviteti filantropik në Shqipëri?
Shpeshehrë institucionet shtetërore abuzojnë pak me dhurimin filantropik të bizneseve. Shpeshherë, ka nisma të përbashkëta të dhurimit apo kontributit mes shtetit dhe privatëve. Por, dhurimet e këtij lloji të privatëve shpeshherë nuk marrin mirënjohjen e duhur publike. Publiku nuk e merr vesh që dhurimi bëhet nga biznesi, çka pengon edhe modelin e duhur të krijimit të frymës së solidaritetit. Ne jemi të interesuar që, ajo çka dhurohet nga biznesi, të marrë vlerë publike si dhurim që vjen nga biznesi. Por, ndodh që kontributi i biznesit eklipsohet nga institucionet publike, që shpeshherë paraqisin si meritë të tyre projekte që, në rastin më të mirë, janë bashkëfinancime mes tyre dhe privatëve. Një nga aktivitetet tona të përvitshme është edhe ndarja e çmimeve të filantropisë. Ne japim dy çmime për biznesin dhe një për individët, në bazë të nominimeve publike që na vijnë. Kjo është vlerë e shtuar edhe për sa i përket aktivitetit filantropik në vend. Ka shumë raste që bizneset dhurojnë për vepra si spitale, azile, jetimore apo vepra në infrastrukturë. Por, këto kontribute shumë rrallë vijnë në vëmendjen e publikut.
Një problematikë më vete është mungesa e incentivave të mjaftueshëm fiskalë, për sa i takon dhurimit filantropik. Minimalisht, shteti nuk duhet të rëndojë me tatime ato shuma që bizneset, apo qoftë edhe individët, dhurojnë për filantropi. Incentivat që ekzistojnë sot, zor se mund të quhen të tilla. Ato janë në nivele shumë të ulëta, më të ulëtat në Ballkan, pa folur për më gjerë. Ajo çka është më problematike, dhe kjo është konsistente në monitorimet tona, është se biznesi e ka të vështirë të dhurojë, për shkak se procedurat e njohjes së këtyre shpenzimeve nga organet tatimore janë shumë të paqarta. Madje, dhurimet shpeshherë bëhen shkak për krijimin e dyshimeve për evazion fiskal nga organet tatimore. Kjo bën që, në shumicën e rasteve, bizneset të mos tentojnë t’i paraqisin dhurimet si shpenzime të zbritshme, për zbritje nga tatim-fitimi. Madje, edhe ajo hapësirë ligjore që ekziston lidhet me sponsorizimet, ndërsa në ligj nuk parashikohet fare njohja e shpenzimeve në formë dhurimesh. Sigurisht që sponsorizimi dhe dhurimi janë dy gjëra shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Nëse do të kishte një incentivë të mirëfilltë fiskale, kjo do të ndihmonte ndjeshëm në rritjen e dhurimit nga ana e biznesit. Ndërkohë, për sa i takon individëve, korniza ligjore nuk e parashikon fare mundësinë që ato të njihen si shpenzime të zbritshme nga tatimi mbi të ardhurat. Individi është jashtë kësaj skeme dhe ne duam që kjo çështje të rregullohet ligjërisht.
Duke iu referuar edhe përvojës së vendeve të tjera, cilat mund të ishin ato incentiva që do ta nxisnin më shumë filantropinë?
Së pari, duhet një rregullim më i qartë ligjor i deklarimit në rastet e dhurimit, në mënyrë që ai të njihet nga organet tatimore si shpenzim i zbritshëm në bilanc. Nëqoftë se dhurimi do të ishte i rregulluar në legjislacionin fiskal, atëherë ne do të kishim edhe një informacion më të plotë dhe më të saktë lidhur me vlerat që dhurohen nga bizneset dhe individët.
Vërtet sot në filantropi ne kemi kryesisht modelin e kompanive të huaja, por duhet të kujtojmë se në Shqipëri nuk mungon tradita e dhurimit filantropik. Ekziston një traditë e kahershme, që ka nisur që nga mesi i shekullit XVIII dhe ka vazhduar deri në prag të Luftës II Botërore. Shumë prej veprave publike që ne gëzojmë edhe sot janë vepër e filantropistëve shqiptarë. Këtu mund të përmend Liceun e Korçës, që është vepër 100% filantropike, e Thoma Turtullit. Shumë prej ujësjellësve, si në Korçë, Shkodër apo Elbasan, janë vepra dhurimi filantropik. Kjo është shumë e rëndësishme për të ngjizur frymën e dhurimit që ka në bazë solidaritetin. Por, çështja nuk është vetëm morale. Dhurimi është i rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë ku biznesi zhvillon aktivitetin, çka është një kontribut në rritjen e mirëqenies dhe të fuqisë blerëse në të ardhmen.
SCAN MAGAZINE
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.