Skema e pazakontë në burgun e Shënkollit- Arrestohen 3 persona, tentuan të fusin drogë dhe celularë me dron
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Burgjeve kanë parandaluar dhe goditur një tentativë të futjes në ambientet e burgut të lëndëve narkotike dhe telefonave celularë me anë të dronit. Referuar njoftimit të Policisë, në orët e vona të mbrëmjes , në rrethimin e jashtëm të burgut të Shënkollit , punonjësit e Policisë së burgut që kryenin shërbim kanë konstatuar se po fluturonte një dron duke hyrë në zonën e ndaluar dhe menjëherë kanë njoftuar Policinë e Lezhës.
“Në drejtim të burgut janë nisur forcat e FNSH të Shkodrës të cilat ishin me shërbim në Lezhë si dhe shërbimet e policisë së Lezhës së bashku me grupin hetimor. Falë reagimit dhe veprimeve të shpejta dhe profesionale u bë e mundur bllokimi i dronit në rrethin e dytë të jashtëm të burgut, ku gjatë këqyrjes në trup të dronit u gjetën të lidhura në një qese plasmasi 7 pako me lëndë narkotike si dhe tre telefona celularë. Gjithashtu po në vijim të veprimeve tek pjesa e pasme e burgut në një distancë 1 kilometër, Policia e Lezhës dhe FNSH ka konstatuar dhe bllokuar një automjet ku brenda të cilit ndodheshin tre persona. Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi telekomandën e dronit që u sekuestrua brenda rrethimit të dytë të jashtëm të burgut, çanta ku futet droni, si dhe tre aparate të tjerë celularë” njofton Policia.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M.V. 28 vjeç banues në fshatin Vrake, Malësi e Madhe, i dënuar më parë për vjedhje, Xh. K. 25 vjeç, banues në Shkodër si dhe Xh.L., 28 vjeç, banues në Bajze ,Malësi e Madhe,Shkodër
Materialet do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës së Parë Lezhe për veprat penale “Prodhimi dhe shitje te narkotikeve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim e mbetur në tentative”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.