Skema e re e bujqësisë – Ja cilat kultura do të subvencionohen
Është zhvilluar sot Konferenca Kombëtare e Bujqësisë, ku Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi ka prezantuar edhe skemën e re të bujqësisë, e cila pritet të mbështesë një sërë kulturash. I pranishëm në konferencë ka qenë edhe kryeministri Edi Rama.
Peleshi tha në fjalën e tij se pavarësisht se është dyfishuar sipërfaqja e ujitur dhe kullimi, jemi larg bilancit tregtar (importit dhe eksportit). Tre objektivat kryesore sipas tij janë edhe konkurrueshmëria, ushqimet e sigurta si dhe diversifikimi i të ardhurave të fshati.
Ai shtoi më tej se Fondi i Garancisë pothuajse ka hyrë në fuqi të plotë, duke argumentuar se është firmosur edhe nga 5 institucione financiare. Lidhur me shërbimet e këshillimit, Peleshi është shprehur se nuk ka pasur një impakt real.
“Duhet ta pranojmë se shërbimet e këshillimit nuk kanë pasur një impakt real. Shumë fermerë nuk e njohin agronomin.”
Peleshi tha se skema e re e bujqësisë do të mbështesë agropërpunimin, të cilin e cilësoi edhe si rrugën e vetme për t’i shtuar vlerë produkteve. Po ashtu, në skemë do të përfshihen certifikimi dhe agroturizmi, si mënyrat e vetme për të diversifikuar produktet.
Peshkimi dhe bujqësia e të rinjve do të përfshihen gjithashtu në skemë. Lidhur me këtë të fundit, Peleshi tha se do të ketë edhe një mbështetje të posaçme, duke qenë se ka pasur një trend të fermerëve të rinj, ku sipas tij pjesa më e madhe e tyre kanë studiuar jashtë vendit.
“Falë tyre janë duke lindur produkte inovative që janë interesante dhe shumë premtuese.”
Të dhënat për bujqësinë, statistikat, siguria ushqimore, certifikimi, cilësia dhe marketimi i produkteve, pronësia e tokës bujqësore, zhvillimi rural, sipërfaqja e vogël e fermave dhe sasitë e vogla prodhuese të produkteve, janë edhe sfidat kryesore sipas ministrit Peleshi.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.