Skema e sigurimeve shoqërore – Rritet financimi nga buxheti i shtetit, 3 mld lekë më shumë se 2015
Subvencioni i skemës së detyrueshme të sigurimeve shoqërore nga buxheti i shtetit për vitin 2016 pësoi rritje në krahasim me një vit më parë, pavarësisht reformës e cila synonte uljen e financimit nga paratë publike përmes rritje së të ardhurave nga derdhja e kontributeve.
Sipas raportit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, nga buxheti i shtetit u transferuan 29.2 miliardë lekë ose rreth 3 miliard lekë më shumë se në vitin 2015. Sipas të njëjtit dokument, gjatë periudhës janar-dhjetor 2016 u regjistruan rreth 80 miliard lekë të ardhura apo rreth 4 miliard lekë më shumë se viti paraardhës.
Por, përveç rritjes së të ardhurave, për këtë periudhë u rritën edhe shpenzimet, duke u reflektuar në rritjen e subvencionimit të skemës nga paratë e buxhetit të shtetit.
Shpenzimet për vitin 2016 u regjistruan në masën e rreth 109 miliard lekëve apo 7 miliard më shumë se një vit më parë. Ndërkaq, ajo që vlen të theksohet është fakti se numri mesatar i kontribuuesve, mbeti në nivele pothuajse të pandryshuara, me rreth 718 mijë persona që derdhin kontribute.
Reforma e pensioneve hyri në fuqi në janar të vitit 2015, ndërsa parashikoi rritjen graduale të moshës së daljes në pension si dhe rritjen graduale të vjetërsisë në punë.
Synimi kryesor i saj ishte pikërisht shëndoshja e buxhetit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke rritur të ardhurat nga kontributet, çka do të sillte dhe uljen e subvencionimit të skemës nga buxheti i shtetit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.