Skema e sigurimit vullnetar, ISSH: Rregullorja, si përfitohet zbritja deri në 6%
Emigrantët, por edhe ata persona që dëshirojnë të blejnë vitet e pensionit mund të përfitojnë nga skema e zbritjeve, të miratuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për vitin 2017.
Kështu, referuar rregullores të sigurimit vullnetar për vitin korrent për kontributet e parapaguara, të gjithë ata persona që paguajnë kontributet për një periudhë 3-mujore do të përfitojnë zbritje me 1.5%, ndërkohë që ata që kontribuojnë për një periudhë 6-mujore iu aplikohet 3% ulje.
Zbritje më të lartë përfiton çdokush që paguan kontributet e sigurimeve shoqërore për të gjithë vitin, duke iu aplikuar ulje me 6% nga shuma që duhej të paguante në kushte normale.
Pas rritjes së pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve, personat që sigurohen vullnetarisht, vetëm për degën e pensioneve duhet të paguajnë një kuotë mujore prej 5.184 lekësh, nga 4 752 lekë që ishte më parë.
Me këtë kuotë mujore, mund te paguhen edhe muajt për vitet e kaluar, për të cilat personi kërkon të bëjë sigurim vullnetar.
Ndërkohë që, sigurimi vullnetar për vitin korent mund të bëhet për më shumë se paga minimale, duke zgjedhur deri në pagën maksimale që aktualisht është 105,850 lekë, me një kuotë mujore prej 22,865 lekësh.
Përfitimet nga skema e sigurimeve përfshijnë pensionet bazë të pleqërisë, invaliditetit dhe familjar si dhe pensione më të larta se niveli bazë, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave te paguara.
Procedurat për sigurimin vullnetar mund të kryhen pranë Agjencive Lokale të Sigurimeve Shoqërore, në çdo qytet.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.