Skemat e bujqësisë, fermerët do të ndihmohen nga studentët – Rama: Ndihmë për të përfituar fonde

Studentët e Universitetit të Bujqësisë do të kenë një rol kyç në skemat e reja të mbështetjes financiare të fermerëve. Ata do të angazhohen duke ndihmuar fermerët në shpjegimin e skemave, në plotësimin e aplikimeve, si dhe në shkrimin e projekteve.
Nisma është një iniciativë e kryeministrit Rama, i cili ka zhvilluar edhe një takim shpjegues me këta studentë. Arsyeja, sipas Ramës, është mungesa e informacionit e fermerëve mbi mënyrat se si të mund të përfitojnë nga subvencionet dhe grantet shtetërore.
“Nuk i marrin dot fondet nëse nuk dinë se si merren. Mënyra se si është e organizuar prej shumë kohësh struktura shtetërore e informimit nuk funksionon. Prandaj mbetem i paduruar që të shkrihen Drejtoritë e Bujqësisë dhe të zëvendësohen nga struktura informimi reale që janë pranë fermerëve”, u shpreh Rama.
I pranishëm në takim ishte edhe Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, i cili e konsideroi këtë një mundësi të artë për studentët për të vënë në zbatim dijet.
“Nisma që ka marrë jetë dje dhe do të vazhdojë për përfshirjen e studentëve në skemat kombëtare dhe më vonë të IPARD, ju jep një mundësi të artë për të lidhur teorinë me praktikën, për të marrë disa kredite, por edhe për të mësuar nga fermerët. Por edhe ata kanë nevojë për të mësuar për të mësuar se çfarë të mbjellin. Kanë nevojë të mësohen, trajnohen dhe këshillohen se cilat janë politikat e qeverisë”, tha Peleshi.
Studentët do të trajnohen nga stafi i AZHBR për të komunikuar tek fermerët skemën kombëtare, e cila këtë vit ka 52 masa. Këto dy vite skema kombëtare do të arrijë në 20 milionë euro, ndërsa fondet në dispozicion nga programi IPARD janë rreth 90 milionë euro.
Angelo Haruni/SCAN
Fondet e bujqësisë për vitin 2018 – Miratohet kriteret për përfitimin e fermerëve. Detajet e plota
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.