Skemat e favorshme tatimore në BE. Brukseli planifikon sulm ndaj anëtarëve me taksa të ulëta
Brukseli po planifikon të gjurmojë vendet anëtare me regjime përfituese tatimore për korporatat, ndërkohë që po shtohen presionet tek politikanët e BE për të hedhur dritë tek marrëveshjet tatimore, përballë krizës së Covid-19. Komisioni Europian po përpiqet të aktivizojë një instrument të papërdorur në traktat për të reduktuar aftësinë e kompanive ndërkombëtare që të shfrytëzojnë skemat përfituese tatimore për korporatat.
Ndryshe nga ligjet e zakonshme tatimore, kjo iniciativë do të kërkojë vetëm mbështetjen e një mazhorancë të kualifikuar të 27 vendeve anëtare në vend të miratimit unanim, duke kufizuar aftësinë e një qeverie për të vendosur veton. Shmangja tatimore nga kompanitë është rikthyer në axhendën politike gjatë pandemisë, ndërkohë që qeveritë në të gjithë botën po shpenzojnë miliarda për të nxitur ekonomitë. Komisioni ka premtuar gjithashtu të risjellë planet për një taksë të shërbimeve dixhitale ndaj gjigantëve të teknologjisë, pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga negociatat ndërkombëtare muajin e kaluar.
Zyrtarët thonë se planet, nën nenin 116 të traktatit të BE, ndodhen në fazë të hershme, por synojnë të identifikojnë skemat kombëtare tatimore që bien ndesh me rregullat. Kjo ka gjasa të shkaktojë konflikte tek vendet anëtare, që mbrojnë fuqitë e tyre taksuese. Brukseli është përpjekur shumë herë në të shkuarën për të sulmuar këto skema tatimore, por është bllokuar nga shtetet që kanë vendosur veton, pasi kanë kushtet favorshme tatimore. Neni 116 i traktatit të BE i jep Brukselit fuqinë për të korrigjuar “shtrembërimet” në tregun e përbashkët dhe nuk është përdorur ndonjëherë. Instrument ii lejon komisionit të propozojë një direktivë që korrigjon skemat tatimore dhe padit qeveritë tek Gjykata Europiane e Drejtësisë nëse nuk përputhen me rregullat. Kjo masë pritet të shënjestrojë skema në vende si Hollanda, Luksemburgu, Belgjika dhe Irlanda.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.