Skemat e financimit në bujqësi – Braçe kërkon interpelancë tjetër me Ministren Krifca
Vetëm një javë pas interepelancës së zhvilluar në Parlament me Ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar një tjetër interpelancë për këtë sektor. Kërkesa e depozituar në Kuvend nga deputeti Braçe për interpelancën e radhës me Ministren, mban datën 15 shkurt, dhe fokusi ka të bëjë me sektorët dhe masat mbështetëse përmes fondeve të Programit të Zhvillimit Rural 2022 dhe problemeve të lidhura me to.
Së fundmi qeveria ka miratuar vendimin për mënyrën se si do të shpërndahet fondi prej 3.2 miliardë lekësh përmes Skemës Kombëtare të Subvencioneve, ku është parashikuar mbështetje direkte e fermerëve për inputet bujqësore, mbështetje për blegtorinë, për peshkimin, bletarinë si dhe është përfshirë skema e naftës falas për të cilën do të përdoren rreth 1 miliardë lekë nga fondi total. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka parashikuar që të hapë aplikimet për fermerët më 25 Shkurt.
Në interpelancën e fundit të zhvilluar me Ministren e Bujqësisë, deputeti socialist kërkoi llogari për rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore dhe të plehrave kimikë, gjë që sipas tij ka sjellë kosto më të larta për fermerët. Braçe është shprehur se rritja e kostove është rrjedhojë e dominimit të tregut të plehrave kimikë nga dy kompani.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.