Skenarët rezervë të borxhit – Financat përgatisin 3 strategji alternative për huamarrjen
Ministria e Financave dhe Ekonomisë krahas strategjisë së menaxhimit të borxhit publik, kanë dhe “skenarët alternativë” , rezervë me objektiv uljen e ekspozimit ndaj rreziqeve, siç janë ndaj rrezikut të rifinancimit dhe atij të normave të interesit. Për këtë specialistët e këtij dikasteri kanë hartuar dhe 3 strategji alternative.
Strategjia e 1
Përfshin që rreth 90 % e totalit të financimit bruto do të bazohet ne financimin e brendshëm, duke ruajtur raportet aktuale të financimit ndërmjet titujve afatshkurtër dhe afatgjatë( rreth 70 % me 30 %). Sipas saj, financimi i huaj do të bazohet në projektet ekzistuese, financimin e projekteve te reja te konsideruara si prioritare nga qeveria dhe mbështetjen buxhetore te akorduar nga institucionet ndërkombëtare financiare ne përputhje me kuadrin makro-fiskal.
Strategjia e 2
Rreth 80-85 % e totalit të financimit bruto do të bazohet në financimin e brendshëm duke krijuar hapësira për të rritur financimin ne favor të titujve afatgjatë. Financimi i huaj do të bazohet në financimin e projekteve ekzistuese si dhe me një shtese fondi financimi të huaj 80-100 milion euro në vit të siguruar nëpërmjet nje instrumenti të disbursueshëm në harkun kohor të 3 viteve, ose çdo lloj instrumenti tjetër ne varësi të kushteve të tregut. Kjo strategji alternative ka disa avantazhe si përmirëson ekspozimin ndaj rrezikut te rifinancimit, ul huamarrjen e brendshme, ul presionin e huamarrjes se brendshme duke lëne hapësirë për tregun prima te qeverise, si dhe lehtëson sigurimin e valutës për të kryer ripagesat e borxhit të huaj.
Strategjia 3
Në vitin 2018 parashikon që 75 % e totalit të financimit bazohet në financimin e brendshëm duke krijuar hapësira për të rritur financimin në favor të titujve afatgjatë. Financim i huaj i bazuar në projekte ekzistuese dhe të reja, si dhe me një shtesë financimi të huaj 400-500 milion euro në vitin 2018 të siguruar nëpërmjet emetimit të një eurobondi. Kjo alternative ka si avantazhe përmirësimin e ekspozimit ndaj rrezikut të rifinancimit të normave të interesit, siguron valutë të mjaftueshme për të kryer ripagesat e borxhit të huaj në vitin 2018, ul presionin për tregun e brendshëm dhe le hapësira për kreditim të sektorit privat, si dhe garanton një prezencë për të madhe të vendit tonë në tregjet ndërkombëtare.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.