S’lejohen më automjetet me standard euro 3, të rejat duhet të përmbushin euro 5!
Me nisjen e vitit 2020 në vendin tonë do të lejohet vetëm importi i mjeteve të vjetra që plotësojnë standardin euro 4 e lart, që praktikisht përfshin automjetet e prodhuar pas vitit 2005.
Tashmë ka përfunduar edhe afati që iu ishte lënë importuesve të mjeteve për të zhdoganuar ato makina që ishin futur në territorin shqiptar deri në dhjetor të vitit 2018, duke përcaktuar përfundimisht se gjatë këtij viti nuk do të ketë më regjistrime të reja për këtë kategori.
Më konkretisht, nga 2020-a automjetet e përdorur që do të futen në territorin e Shqipërisë duhet të përmbushin kushtet teknike Euro 4, ndërkohë që automjetet me kilometrazh 0 duhet të përmbushin kushtet Euro 5 dhe Euro 6. Fillimisht, qeveria vendosi të ndalonte importin e automjeteve të vjetra mbi 10 vjet, por pas presionit të qytetarëve u vendos që te lejohet standardi EURO 4, që përfshin automjete të prodhuara nga vitit 2005 e në vazhdim.
Mbrotja e mjedisit ishte arsyeja që çoi qeverinë të bëjë ndryshime ligjore në drejtim të automjeteve që lejohen të importohen në vendin tonë. Ndërkohë që vendimi dha efektet e para edhe përgjatë 2019-ës, duke qenë se gjatë 8-mujorit u futën 13 mijë automjete të vjetra më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, çka sipas drejtuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, tregoi një dekurajim për blerjen e këtyre mjeteve nga ana e qytetarëve.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.