Sllovakia teston të gjithë popullsinë. Mbi 3 milionë banorë kanë bërë tamponin gjatë fundjavës
Më shumë se gjysmës së popullsisë në Sllovaki i është bërë tamponi për Covid19, nëpërmjet testimit kombëtar që sipas qeverisë do të ndalojë rritjen e shpejtë të infeksioneve, pa vendosur karantinën. Kryeministri Igor Matovic tha se është krenar për njerëzit që shkuan për t’u testuar, si dhe për punëtorët dhe vullnetarët. Mbi 40,000 punëtoë të mjekësisë dhe ekipe të trupave ushtarake, policisë dhe vullnetarë, kanë administruar 5,000 qendra të marrjes së tamponit.
Tre milionë sllovakë u testuan gjatë fundjavës, sipas kryeministrit Matovic. Shteti në Bashkimin Europian prej 5.5 milionë njerëzish synonte të testonte sa më shumë njerëz të jetë e mundur, përjashtuar fëmijët nën 10 vjeç. Testimi ishte pa pagesë dhe me bazë vullnetare, por qeveria do të vendosë karantinë personat që nuk morrën pjesë, si dhe do t’i ndalojë ata që të shkojnë në punë. Skema është përballur me kundërshtime nga disa ekspertë që dyshojnë mbi efektshmërinë pasi është një masë e njëhershme.
Disa të tjerë theksuan se testet e antigjenit që janë përdorur, janë më pak të sakta se testet PCR në laborator, ç’ka mund të sjellë rezultate false negative apo positive. Qeveria planifikon një raund të dytë të testimeve në fundjavën e ardhshme, për të kapur rastet e shpëtuara në raundin e parë, apo ata që infektohen gjatë periudhës së ndërmjetme. Sllovakia raportoi 2,282 raste të reja nëpërmjet testeve PCR, duke e çuar totalin në 59,946, përjashtuar ata që u identifikuan tek skema kombëtare e fundjavës.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.