“Snap” dështon në ditën e 3-të – Analistët japin vlerësim për ‘shitje’ të aksioneve të kompanisë

Vlera në treg e Snapchat ka rënë poshtë çmimit që kishte kur u listua, ndërkohë që analistë kanë caktuar vlerësime për “shitje”, ndërsa investitorë të tjerë presin që kompania të përjashtohet nga indekset e titujve të kapitalit.
Aksionet e Snapchat u bënë publike 3 ditë më parë dhe janë mbyllur në sesionin amerikan në rënie me 12% në 23.77 dollarë, krahasuar me 24 dollarë që ishte çmimi në ditën e parë kur u listua në bursën e New York-ut.
Megjithatë, kompania është ende 40% sipër 17 dollarëshit që ishte çmimi i aksioneve në ofertën publike fillestare. Snapchat nuk ka marrë deri më tani vlerësime për “blerje” nga asnjë analist, ndërsa Këshilli i Investitorëve Instiucionalë bëri thirrje që kompania të përjashtohet nga indekset për shkak se ka emetuar vetëm aksione pa të drejtë votuese.
Nga shtatë analistë që kanë raportuar mbi kompaninë, 5 e kanë vlerësuar aksionin për “shitje” ndërsa 2, në “neutral”. Çmimi mesatar objektiv për aksionin e kompanisë është cakuar në 16.8 dollarë për aksion, çka tregon se një pozicion për shitje do të ishte fitimprurës.
Analistët të përfshirë për nënshkrimin e ofertës publike përfshirë Goldman Sachs dhe Morgan Stanley, nuk publikojnë raporte deri në një muaj pas fillimit të tregtisë. Analistët thonë se investitorët e Snapchat do të ekspozohen në një konkurrencë agresive nga kompanitë më të mëdha, pasi ka një bazë përdoruesish që nuk tregon ndonjë rritje të kënaqshme.
Në ofertën publike fillestare, Snapchat e caktoi çmimin final në 17 dollarë, me një vlerë totale tregu prej 19.7 miliardë dollarë. Në ditën e parë tregtare, aksioni u rrit me 44%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.