“Snap” vlerësohet $22.2 mld – IPO pritet me interes në një kohë të listimeve të pakta

Pronarët e aplikacionit Snapchat e kanë caktuar vlerësimin e kompanisë në rreth 22.2 miliardë dollarë përpara se të bëjnë ofertën publike fillestare.
Një çmim prej 16 dollarësh për aksion e çon vlerën e Snapchat në 22.2 miliardë dollarë. Megjithatë, kompania fillimisht synonte një vlerësim prej 25 miliardë dollarë, tregojnë dokumentat e listimit të publikuara më herë gjatë muajit.
Dokumentat tregonin gjithashtu se oferta do të emetojë aksione pa të drejtë votimi, duke e ruajtur pushtetin mbi vendimet kryesore për themeluesit, Evan Spiegel dhe Bobby Murphy. Ky detaj është kritikuar nga investitorët, përfshirë disa nga fondet e pensioneve më të mëdha në SHBA dhe bën kontrast me ofertat publike fillestare të tjera në sekorin e teknologjisë.
Të dy Themeluesit, pritet të bëhen miliarderë pasi kompania të listohet në bursë.
Oferta e parë publike e Snapchat pritet me interes në një kohë të listimeve të pakta në SHBA, për shkak se shumë firma kanë vendosur të shtojnë kapital në mënyrë private.
Snapchat po përpiqet të rrisë të ardhurat nëpërmjet reklamave, pasi përballet me rritje të ngadaltë të përdoruesve, rritje të kostove dhe konkurrencë të ashpër nga Instagram. Snapchat ka rezultuar në një humbje neto prej 515 milionë dollarë në 2016.
Klevis Llaha/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.