S`ndalen protestat në Sllovaki – Nuk mjafton dorëheqja e Kryeministrit, thirrje për zgjedhje
Dorëheqja e Kryeministrit Robert Fico, nuk ishte e mjaftueshme për të ndalur protestuesit në Sllovaki. Dhjetëra mijëra kanë vazhduar të protestojnë në rrugët dhe sheshet kryesore edhe përgjatë të Premtes duke përsëritur thirrjet e tyre për zgjedhje të parakohshme.
Protesta paralele pati në 35 qytete të ndryshme të vendit. Sllovakia, vend anëtar i Bashkimit Europian është zhytur në trazira të mëdha që prej 1 muaji, menjëherë pasi gazetari 27-vjeçar, Jan Kuciak u gjet i vrarë në banesën e tij së bashku me të fejuarën e tij.
Kjo shkaktoi zemëratë të gjerë në popull, duke nxitur protestuesit që të kërkojnë zgjedhje të parakohshme pasi qeveria aktuale është e paaftë të nxjerrë vendin nga tranzicioni, 30 vite pasi ka rënë komunizmi, dhe 14 vite pas anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Vdekja e Kuciak ka nxitur protestat më të mëdha në vend që prej rënies së komunizmit, në vitin 1989.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.