Socialistët dështojnë – Rritja ekonomike franceze 0.3% nën objektivin e qeverisë

Ekonomia franceze e mbylli vitin e kaluar me një hap të fuqishëm, duke rimarrë vrullin vetëm në tremujorin e fundit.
Përmbysja e trendit të dy tremujorëve paraardhëse, vjen falë shpenzimeve konsumatore dhe investimeve që nuk treguan asnjë shenjë frike përpara zgjedhjeve presidenciale të pranverës së këtij viti.
Prodhimi i Brendshëm Bruto i ekonomisë së dytë më të madhe në Eurozonë u rrit me 0.4% gjatë tremujorit të katërt, në linjë me pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve si dhe 0.2 pikë përqindje mbi hapin e regjistruar gjatë dy tremujorëve paraardhës, tregon zyra e statistikave në vend.
Gjithsesi, vrulli i tremujorit të fundit nuk i`a doli të nxiste ekonominë mbi nivelet e vitit 2015, kur ekonomia franceze rritej me 1.2%. përgjatë të gjithë 2016-ës në tërësi, ekonomia e dytë më e madhe në rajonin e monedhës së përbashkët u rrit me vetëm 1.1%, bindshëm larg objektivit të qeverisë.
Deri në fund qeveria socialiste këmbënguli për një normë rritje mbi 1.4%, që shihet edhe si minimumi i nevojshëm për të ulur papunësinë nën 10%.
Pavarësisht apelit nga Banka Qendrore dhe kërkesave nga institucionet ndërkombëtare për të ulur objektivin, qeveria nuk e bëri këtë për arsye të qarta elektorale, dhe tashmë dështimi nuk është i vogël, por në të paktën 0.3 pikë përqindje, çka do të përkthehet edhe në kosto elektorale për socialistët.
Pavarësisht kësaj, Ministri francez i financave, Michel Sapin i ka komentuar me tone pozitive të dhënat.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.