Sondazhet tregojnë fitues Vuçiç – Serbia mes anëtarësimit në BE dhe lidhjeve me Rusinë e Kinën!

Presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiç pritet të fitojë zgjedhjet e mbajtura me 3 Prill me 59.8 % te votave sipas sondazheve.
Vuçiç pranoi se konflikti në Ukrainë ndikoi në fushatë dhe tha se Serbia nuk ka plane të devijojë nga pozicioni neutral midis anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë e Kinën.
Ai shtoi se Serbia do të ruajë politikën e neutralitetit ushtarak dhe marrëdhëniet miqësore me Rusinë. Vendi është pothuajse tërësisht i varur nga gazi rus dhe ushtria serbe mban lidhje me ushtrinë ruse.
Kremlini gjithashtu mbështet kundërshtimin e Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës duke bllokuar anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.
Sondazhet tregojnë se Zdravko Ponos, një gjeneral i ushtrisë në pension, që përfaqëson koalicionin pro-europian do të jetë i dyti me 17.1% të votave.
Në zgjedhjet parlamentare Partia Progresiste Serbe e Vuçiçit do të jetë e para me 43.6% të votave, treguan projeksionet e sondazheve.
Aleanca opozitare pro-europiane dhe qendrore e Ponos, “Të bashkuar për Fitore”, mbeti pas me 12.9% të votave.
Pavarësisht parashikimeve Ponos vlerësoi performancën e partisë së tij në zonat urbane, duke përfshirë kryeqytetin Beogradin.
Opozita dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Serbi akuzojnë Vuçiçin dhe aleatët e tij për kontroll të mediave, sulme ndaj kundërshtarëve politikë dhe lidhje me krimin e organizuar. Nga ana tjetër, Vuçiç dhe aleatët e tij i kanë mohuar vazhdimisht akuzat.
Blerta Lata / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.