Sondazhet “tronditin” paundin – Monedha në rënie, May mund të humbasë mazhorancën
Pak kohë më parë, kur Theresa May njoftoi zgjedhjet e parakohshme të datës 8 Qershor, askush nuk e vendoste në pikëpyetje fitoren e konservatorëve.
Por, sondazhet e fundit tregojnë se, partia e Theresa May, mund të dështojë që të fitojë mazhorancën, duke rrezikuar atë që quhet parlament i varur, apo mungesën e një mazhorance në gjendje që t`i hapë rrugën krijimit të ekzekutivit të ri.
Sondazhet tregojnë se, konservatorët do të marrin 16 vende më pak në Parlament nga mazhoranca.
Kjo shkaktoi rënien drastike të paundit britanik, kundrejt shportës së 10 valutave kryesore.
Kjo tregon se, tregjet nuk janë aspak të përgatitura për rezultatin e zgjedhjeve, të bindura se konservatorët nuk do të kenë asnjë problem në këto zgjedhje.
Lëkundja e këtij besimi të “verbër”, jo vetëm që po gjeneron zhvlerësimin e Sterlinës, por rrezikon të prodhojë një tërmet të paprecedentë në tregje të nesërmen e 8 Qershorit, kur britaniket do të votojnë.
Vetëm gjatë sesionit të së Mërkurës, paundi është zhvlerësuar me mbi 0.6% kundrejt dollarit amerikan.
Ekspertët ndërkohë vënë në pikëpyetje besueshmërinë e sondazheve, duke aluduar madje se, mund të jenë përdorur qëllimisht për të testuar gatishmërinë e tregjeve.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.