Sondazhi mbi 377 drejtues kompanish – Rritje e ndjeshme e perceptimit për korrupsion e rryshfet, bizneset shtuan kapacitetet
Vrojtimi i Bankës Botërore për ecurinë e ndërmarrjeve ekonomike në Shqipëri konstaton rritje të dukshme të perceptimit të korrupsionit e rryshfetit krahasuar me anketën e mëparshme.
Kampioni i këtij vrojtimi përbëhet nga pronarë të bizneseve dhe menaxherë të lartë nga 377 kompani që veprojnë në sektorë dhe rajone të ndryshme. Intervistat janë kryer përgjatë periudhës janar-maj 2019. “Matësi i përgjithshëm i perceptimit të korrupsionit dhe ryshfetit është rritur dukshëm në krahasim me anketën e mëparshme.
Sidoqoftë, sondazhet mbi perceptimet e bizneseve duhet të interpretohen me kujdes dhe rezultatet e përgjithshme duhet të shihen në detaje. Për shembull, pjesa e firmave që e quajnë korrupsionin si pengesën e tyre kryesore nga viti 2013 ka një rritje mjaft të vogël nga 6 në 8 përqind”, thekson raporti përfundimtar i Bankës Botërore.
Lista e pengesave kryesore që bizneset hasin në veprimtarinë e tyre ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme që nga viti 2013, por taksat dhe shkalla e lartë e informalitetit kanë mbetur në krye të listës ndër vite.
Ndërkaq, Vrojtimi tregon se firmat në 2019 paraqiten më mirë se ato në 2013. Për shembull rritja reale e shitjeve vjetore është shumë më e lartë se në 2013 dhe po kështu rritja e punësimit vjetor. Po kështu, kompanitë janë dy herë më shumë të prirura të investojnë për prona të paluajtshme sesa në 2013, shenjë e rëndësishme kjo e zhvillimit pozitiv të sektorit privat.
Megjithatë, produktiviteti është ende i ulët duke i penguar firmat të rriten e krijojnë më shumë vende pune. Me zgjerimin e ekonomisë dhe bizneset sofistikohen në kërkesat e tyre në rritje për një mjedis biznesi me cilësi të lartë.
Kjo përfshin qasjen në një gamë më të gjerë të instrumenteve financiare, fuqi punëtore të kualifikuar, sistem gjyqësor të drejtë dhe efikas, cilësi më të mirë të infrastrukturës dhe shërbimeve publike.
Ky studim tregon se si ndërmarrjet shqiptare po përshtaten me sfidat e mjedisit të biznesit dhe po përmirësojnë kapacitetet e tyre.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.